E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Tatimet dështuan me grumbullimin e TVSH

Sipas një raporti të KLSH për zbatimin e buxhetit të 2010-s, numri i subjekteve që paguajnë TVSH është rritur me 4820 subjekte gjatë vitit që shkoi, ndërsa TVSH e arkëtuar ka pësuar rënie 393 milionë lekë

Të paktën teorikisht ka një paradoks në grumbullimin e TVSH për vitin 2010, ku numri i subjekteve të përfshira në skemë është rritur, por nga ana tjetër të ardhurat që grumbullohen nga ky tatim kanë rënë. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për “Zbatimin e Buxhetit 2010” ka mbërritur këto ditë në Kuvend dhe vëren mjaft anomali në lëmin e grumbullimit të të ardhurave në buxhet dhe shpenzimeve publike nga disa institucione. Ndonëse, numri i subjekteve tatimpagues për vitin 2010 përkundrejt vitit 2009 është rritur me 4820 tatimpagues, ose në masën 28 për qind dhe po kështu edhe qarkullimi i TVSH me më shumë se 168 milionë lekë, TVSH e arkëtuar ka pësuar rënie me 393 milionë lekë të reja ose rreth 3 milionë euro, vëren KLSH në raportin e tij. Ekspertët e KLSH kanë edhe konkluzionet në lidhje me përkeqësimin e mbledhjes së TVSH, pasi numri i subjekteve borxhlie në tatime është rritur dukshëm. Gjithashtu KLSH ka vërejtur rritje të informalitetit në procesin e administrimit të TVSH, tatimi që zë edhe pjesën e “luanit” në buxhetin e shtetit. KLSH ka zbuluar se numri i tatimpaguesve jodeklarues zë 20.4 për qind të të gjitha subjekteve të regjistruara në TVSH. Në krahasim me vitin 2009, ky numër është rritur me 810 subjekte. Ndërsa numri i subjekteve që janë deklaruar pa aktivitet zë 29 për qind të numrit gjithsej të subjekteve të regjistruar dhe në krahasim me një vit më parë ky numër është rritur me 4691 subjekte. Nisur nga këto dhëna, KLSH ka konfirmuar se gjatë vitit që shkoi është rritur numri i subjekteve që nuk kanë deklaruar ose që paraqiten me deklarim zero, gjë që ka ndikuar negativisht në realizimin e planit të TVSH. Madje, sipas konstatimeve të KLSH disa nga këto subjekte jo vetëm që nuk kanë paguar TVSH, por kanë përfituar nga TVSH e arkëtuar nëpërmjet rimbursimeve. “Përkeqësimi i këtyre treguesve në vitin 2010 kundrejt vitit 2009, tregon se masat organizative dhe teknike të marra nga administrata tatimore në arkëtimin e TVSH nuk kanë qenë efektive, sidomos në bashkëpunimin e strukturave të administratës tatimore lidhur me kontrollet e kryerjes së pagesave nga subjektet e TVSH”, citon raporti i KLSH. Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se administrimi i borxhit në tatime po kthehet në një problem serioz për ekonominë në tërësi. Bazuar në të dhënat e KLSH, borxhi tatimor arrin në fund të vitit 2010 në 58 miliardë lekë, nga 49 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2009. Me një rritje prej gati 9 miliardë lekësh ose rreth 17 për qind. Kështu vlera e borxhit të akumuluar nga tatimet zë gati 50 për qind të të ardhurave të grumbulluara nga tatimet gjatë vitit 2010, ndërsa kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto vlera e borxhit arrin 4.7 për qind. Referuar të dhënave të KLSH, pjesën më të madhe të borxhit tatimor e zënë debitorët që nuk kanë paguar tatimet dhe taksat dhe debitorët nga sigurimet shoqërore, në masën 7.4 miliardë lekëve. Nga pikëpamja kohore e detyrimeve, rezulton se rreth 84 për qind e tyre ose 49.6 miliardë lekë e zënë debitorët e trashëguar nga viti 2009 e përpara, ndërsa 15.2 për qind ose 8.8 miliardë lekë e zënë debitorët e krijuar gjatë vitit 2010. Ndërsa masa më e madhe debitit të krijuar i përket pikërisht viteve zgjedhore 2005 dhe 2009. Vlera më e lartë debitit tatimor peshon në Tiranë, ku borxhlinjtë kryesojnë listën me 38.2 për qind të vlerës së borxhit në total. Dega e tatimpaguesve të mëdhenj kryeson listën 13 miliardë lekë borxh në tatime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›