E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Reformë në administratën publike dhe në ligjin e shërbimit civil

Shqipëria pritet të ndërmarrë reformë në administratën publike dhe ndryshime në ligjin për Shërbimin Civil. Kjo është pohuar dje nga Ministri i Brendshëm Bujar Nishani në takimin e nivelit ministerial të bordit drejtues të Shkollës Rajonale të Administrimit Publik (ReSPA). Sipas Nishanit bëhet fjalë për përmbushjen e një prej 12 kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe një prej kritereve më të rëndësishme. “Ky rekomandim synon të kryhen hapat thelbësorë të reformës në administratën publike, përfshi ndryshimet në ligjin për Shërbimin Civil dhe forcimin e Departamentit të Administratës Publike, me synim që të rritet profesionalizimi dhe depolitizimi i administratës publike, si edhe të forcohet qasja që emërimet dhe ngritjet në detyrë të bazohen në transparencë dhe merita”, theksoi ministri.

Më tej në fjalën e tij ai ka theksuar se projekti për përmirësimin e administratës publike ishte një nga më të rëndësishmit që po zbatohej në Shqipëri.Ky projekt sipas ministrit “merr një rëndësi të veçantë duke marrë prasysh objektivat e Shqipërisë lidhur me kërkesën për statusin e vendit kandidat”. Programet përbërëse të ReSPA kanë të bëjnë me zhvillimin e politikave dhe legjislacionit; parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit; zhvillimin e cilësisë; harmonizimin e legjislacionit Europian me ato të vendeve të rajonit të zbatuara në një strukturë organizative në përputhje me kërkesat që rrjedhin nga politikat Europiane. “Asistenca e ReSPA merr një rëndësi të veçantë sepse sfidat tona sot janë sfida rajonale dhe më gjerë. Sot të gjithë jemi të përgjegjshëm se në shoqërinë e komplikuar të ditëve të sotme, zhvillimi i suksesshëm i politikave varet gjithshtu dhe nga bashkëpunimi me tregun dhe shoqërinë civile”, tha Nishani. Ai ka vënë theksin në nevojë e përmirësimit të punës së administratës dhe rritjen e cilësisë së saj, ku synon edhe ky projekt. “Kështu drejtues të lartë të administratës publike duhet të kenë aftësitë e duhura për të udhëhequr, drejtuar e motivuar menaxherët e strukturave të tyre respsektive për të dhënë një impakt pozitiv në kapacitetet drejtuese të orientuar për të arritur objektivat e synuara”, theksoi Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›