Rënia e të ardhurave, shkarkohet drejtori i VIP-ave, Jovan Cano
Rënia të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe sidomos performanca e dobët në arkëtimin e TVSH ka sjellë një tjetër lëvizje dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Këto kanë qenë argumentet që kanë çuar në shkarkimin e drejtorit të njësisë që menaxhon taksat e bizneseve VIP, Jovan Cano. Para pak kohësh është shkarkuar nga detyra drejtori i kontrollit dhe përgjegjësi i verifikimit në terren. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pa i bërë komente shkarkimeve, pohon se lëvizjet janë rutinë. Cano njihet si një nga ekspertët me karrierë të gjatë në administratën e tatimeve. Fillimisht ai ka kontribuar si drejtor i biznesit të vogël në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës dhe është ricikluar disa herë në këtë drejtori në pozicione të ndryshme. Më pas ai ka kaluar në Drejtorinë e Përgjithshme, duke drejtuar VIP-at nga të cilët grumbullohet edhe pjesa më e madhe e të ardhurave për buxhetin e shtetit. Kriza ekonomike te bizneset ka ndikuar edhe në rezultatet e punës së administratës tatimore, e cila në dy vitet e fundit nuk ka paraqitur rezultate pozitive, sipas planit të vendosur nga Ministria e Financave. Problem vijon të mbetet taksa e TVSH-së, e cila si 6-mujor rezulton me humbje gati 100 milionë dollarë, gjithnjë referuar me planin. Performanca e dobët në administratën tatimore ka prekur edhe të tjerë zyrtarë, në nivele edhe më të larta drejtuese. Lëvizjet në administratën e lartë tatimore janë kryer kësaj here vetëm në nivel shefash, sektori dhe drejtorie. Referuar statistikave të Ministrisë së Financave, administrata tatimore deri në muajin qershor të këtij viti ka mundur të mbledhë në total rreth 77.7 miliardë lekë, nga 84.3 miliardë lekë që ishte plani i ministrisë, ose 7.8 për qind më pak. Duke i analizuar në bazë të taksave, performanca më e dobët paraqitet te TVSH-ja, e cila po gërryen buxhetin e shtetit me 30 për qind më pak të ardhura, e ndjekur nga akciza me 9 për qind më pak arkëtime, gjithnjë si 6-mujor, në raport me planin.