E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH-ja: Pushtetarët, 45 milionë dollarë abuzime

Administrata publike vazhdon të shkaktojë dëme financiare gjatë ushtrimit të detyrës. Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, konstaton se në kontrollet e ushtruara për aktivitetin e institucioneve të pushtetit qendror dhe lokal, gjatë viteve 2006-2008, ka konstatuar një dëm ekonomik prej rreth 45 milionë dollarësh. Kjo nuk është vlera totale e abuzimeve me fondet nga pushtetarët, por vetëm e asaj pjese të kontrolluar nga zyrtarët e këtij institucioni. "Për vitin 2008, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 147 kontrolle të planifikuar për evadim, në fakt ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 217 kontrolle, nga të cilat 152 janë të përfunduar e të evaduar", - thuhet në raportin e publikuar nga KLSH-ja. Kontrollet e përfunduar janë ushtruar në ministritë dhe institucionet qendrore dhe lokale, zyrat e administrimit dhe regjistrimit të pronës, njësitë dhe projektet me financime të huaja, zyrat e taksave dhe doganave, etj. Sipas raportit të KLSH-së, gjatë vitit 2008, nga kontrollet e ushtruar janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm, në shumën totale prej afro 4.1 miliardë lekësh. "Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2006-2007 dhe 9-mujorit të vitit 2008, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit", - citohet në raport. Burime zyrtare pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit deklarojnë se në vitet 2005-2008, është kërkuar masë administrative dhe janë kallëzuar në prokurori rreth 900 punonjës të pushtetit qendror dhe lokal, të cilët, pas kontrolleve të ushtruara, kanë rezultuar se kanë abuzuar me fondet dhe me zbatimin e procedurave. Pak kohë më parë KLSH-ja dërgoi për kallëzim penal disa kryetarë bashkish dhe komunash, të cilët sipas këtij institucioni kanë abuzuar me postin në dhëniet e lejeve të ndërtimit dhe zhvillimin sipas rregullave të tenderëve.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›