Zyra konsulence për pensionet e emigrantëve në Itali
TIRANË-Emigrantëve shqiptarë në Itali, do t'u ofrohet mundësia e informimit falas mbi skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Sipas marrëveshjes, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, do të mund të marrin informacion mbi ecurinë e kontributeve shoqërore të tyre në 263 pika në të gjithë gadishullin. Drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore zhvilluan dje një takim me drejtuesit e institutit italian, ACAI, i specializuar në çështjet e konsulencës.
Sipas një marrëveshjeje bashkëpunimi, të firmosur në qershor të vitit 2008 në Itali, ACAI-ja merr përsipër përgatitjen falas të informacionit për pagesën e kontributeve dhe skemën e sigurimeve në Shqipëri në të dy gjuhët, dhe e shpërndan atë në të gjithë Italinë. ACAI-ja është një institut i mbrojtjes, i cili zhvillon veprimtari informimi, asistence, konsulence dhe mbrojtje pa pagesë të shtetasve italianë, emigrantëve dhe imigrantëve në Itali. Të tilla marrëveshje janë lidhur edhe me kompani të tjera të rendësishme në këtë vend, të cilat synojnë informimin e të gjithë shtetasve shqiptarë me banim në Itali. "Dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe se, përmes plotësimit të viteve të munguara, do t'u bëhet e mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të patur një garanci sociale në çdo kohë, edhe në vendlindjen e tyre", - tha drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi, duke siguruar emigrantët se, në qoftë se kanë pasur një historik kontributiv në Shqipëri, do t'i marrin ato. E. Senja