E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flota tregtare "parkohet" në Radë

Rënia e transportit detar në botë, është reflektuar edhe në flotën tregtare të Shqipërisë.


Prej muajsh, anijet e transportit po përballen me mungesën e porosive, e ndikuar nga rënia e kërkesës botërore


Kriza ekonomike që sot është bërë tepër e ndjeshme në ekonominë botërore, po reflektohet edhe në portin e Durrësit. Për këtë flasin shoferët e transportit, të cilët rrinë në pritje të ndonjë vapori për t'u shkarkuar, por dhe shumë anije të flotës tregtare të vendit shikohen me sy të lirë që rrinë pa punë në Radë, zonë detare në afërsi të portit. Ky "fushim" ujor tregon, pa pyetur marinarët, për mungesën e porosive. Një pjesë e mirë e pronarëve të mjeteve lundruese kanë nisur të përgjysmojnë ekuipazhet e tyre dhe kanë mbajtur në punë vetëm një pjesë, e cila është e domosdoshme për mirëmbajtjen e këtij arsenali ujor. Ndërsa, disa pronarë të tjerë i kanë nxjerrë anijet në shitje. Disa që kanë qenë me fat kanë gjetur punë përtej kontinentit. Njëri prej armatorëve, që ka dy anije në pronësi, thotë se ai dhe shokët e tij kanë disa javë që kanë mbetur pa punë, pasi biznesmenët, të cilët kanë qenë të lidhur me ta për transporte mallrash, e kanë ndërprerë aktivitetin. Një situatë e tillë është rëndua së tepërmi në fillim të dhjetorit. Sipas ekonomistëve me sektorin e import-eksportit është i lidhur një zinxhir i gjatë subjektesh, të cilët kanë mbetur pa punë. Kjo situatë i ka detyruar armatorët të reduktojnë ekuipazhet e anijeve të tyre dhe të mbajnë nga tre apo katër marinarë, sa për t'i mbajtur ato në gjendje pune, në mënyrë që të mos amortizohen. Një pjesë e tyre tashmë i ka pasqyruar mjetet lundruese në rrjetin e internetit me të gjitha të dhënat dhe cilësitë e lundrimit dhe i ka shpallur ato në shitje. Kështu po veprojnë kryesisht ata armatorë që kanë në pronësi më shumë se 1 anije.
Të dhënat zyrtare të sektorit të transportit detar tregojnë se ai përballon 60 % deri 70 % të import-eksportit të vendit. Që nga muaji shtator dhe deri më sot, 2/3-at e anijeve kanë mbetur pothuajse pa punë dhe gjenden në pritje, si në port ashtu dhe në Radën e jashtme të tij. Hysni Aruci, drejtori i Regjistrit Detar Shqiptar, thotë se flota jonë e transportit detar përfshin 30 anije, me një kapacitet total prej 150 mijë tonësh, prej tyre 20 anije i përkasin portit të Durrësit dhe 10 të tjera porteve të Vlorës dhe të Sarandës. Megjithatë, zv.drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual të Durrësit, Mentor Bunguri, thotë se kriza vërtet është e dukshme, por në port ajo ka një dukuri të veçantë. "Vërtet ka shume anije pa punë, por tonazhi i transporteve të realizuara nëpërmjet portit ka ardhur duke u ngjitur në grafikët e realizimit të planit",- thotë ai. Ky fenomen, sipas Bungurit, duket në shifrat e realizuara. "Nëse për vitin 2007 realizimi i tonazhit ka qenë 3.45 milionë tonë, realizimi i planit të përgjithshëm për vitin 2008 ka pësuar një rritje të ndjeshme me 3.8 milionë tonë. "Por, mbase, thekson Bunguri, kriza reflekton tek ne më shumë në transportin me kamionë dhe ka rënë niveli i anijeve në përpunim që sjellin tashmë mallra me volum, por është rritur mjaft ndjeshëm transporti me kontenierë që është shumëfishuar".


Pakësohet transporti i çimentos dhe kromit
Kështu, sipas statistikave të dispecerisë, gjatë 12-mujorit të vitit 2007 janë bërë transporte me 37.438 copë konteniere, ndërsa gjatë 12-mujorit të 2008-s, ky transport ka arritur në rreth 120 mijë, pra rreth 82 mijë konteniere më shumë. "Në pakësimin e volumeve me anije kanë ndikuar edhe rënia mes të tjerave të transportit të çimentos dhe kjo për shkakun se ka filluar punë fabrika e çimentos në Fushë - Krujë, pra ka patur ndikim në rënien e importit të këtij artikulli",- thotë Bunguri.
Për vitin 2007 janë transportuar çimento rifuxho kalate, në masën e 387 mijë tonë, ndërsa për 12-mujorin e vitit 2008, kjo shifër ka rënë në 270 mijë tonë, pra rreth 116. 7 mijë tonë më pak. Nëse nga çimentoja rifuxho SEAM, nga 8 mijë tonë në vitin 2008 nuk është shkarkuar asnjë ton, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me transportin e hekurit. Nëse për 12-mujorin e vitit 2007, statistikat flasin për një transport prej rreth 218 mijë tonë, kjo shifër shënon ulje të ndjeshme për vitin 2008, në rreth 107 mijë. Nëndrejtori Bunguri thotë se një rënie të madhe ka pësuar edhe transporti i kromit. Gjatë vitit të kaluar janë eksportuar vetëm rreth 2 mijë tonë krom për në Republikën e Kinës. Po sipas tij, kriza bie në sy edhe në faktin se bizneset tashti nuk bëjnë blerje mallrash në sasi të mëdha që t'i transportojnë me vaporë, por sjellin sasi të kufizuara mallrash, të cilat transportohen me kosto më të lirë me kontenierë.

Çmimet e transportit botëror detar, drejt zeros

Indekset ndërkombëtare të tregtisë detare kanë rënë në nivelet minimale. Transport nën kosto

Në maj të 2008-s, indeksi arriti rekordin e tij më të lartë që nga viti 1985, kur u aplikua për herë të parë, duke u fiksuar në 11,793 pikë. Vetëm disa muaj më vonë, më 5 dhjetor, indeksi ra me 94%, ose në 663 pikë, niveli më i ulët që nga viti 1986. Mediat ndërkombëtare raportuan disa javë më parë se vlerat e transportit të mallrave kanë rënë në zero, duke treguar për kolapsin që ka përfshirë tregtinë. Në fund të vitit 2008, koha e lundrimit u rrit, për shkak se anijet e transportit reduktuan shpejtësinë, për të kursyer karburant, por mungesa e besimit do të thoshte reduktim i letrave të kreditit, që kërkon historikisht gjatë ngarkesave në porte.
Kompanitë e ndërtimit të anijeve kanë hasur vështirësi edhe në gjetjen e kredive për ndërtimit, duke u përballur me falimentime. Këto, të kombinuara me rënien e çmimeve të lëndëve të para, kanë krijuar "një stuhi perfekte" në tregtinë botërore tregtare.
Gazeta e tregtisë detare, "Lloyd's List" deklaroi për brokerat në Singapor se tani po tarifojnë dërgesat nga Kina Jugore vetëm me kostot minimale. Tarifat për kontenierët nga Azia Veriore kanë rënën në 200 dollarë, ose nën shpenzimet operative. Baltic Dray Index, i cili mat vlerat e ngarkesave mallra, të tilla si hekuri dhe drithërat, ra para disa javësh me 96%. Kriza ka arritur deri tek faza e fundit e mallrave industriale, gjaku i ekonomisë botërore, siç është transporti. Të dhënat tregtare nga tigrat eksportues të Azisë kanë qenë të zymta gjatë javëve të kaluara, duke reflektuar kolapsin e tregjeve amerikane dhe evropiane.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›