Ligji i ri, qiraxhinjtë bëhen pronarë
Të gjitha subjektet pronare të një ndërtese në bregdet, por jo të truallit, me miratimin e ndryshimeve në ligjin për turizmin do të kenë të drejtën të bëhen pronarë edhe të pronës mbi të cilën është ngritur banesa e tyre. Ky është thelbi i ligjit të miratuar tri javë më parë në Kuvend nga ministri Pango. Ligji është vlerësuar antikushtetues dhe joefektiv nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan edhe kthimin e projektit për rishqyrtim në komisionet parlamentare. Projekti i parashikuar për votim dje u shty për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend. Por nuk ka qenë i këtij mendimi Pango, i cili ka sqaruar dy detaje lidhur me këtë çështje. Së pari, ai tha se ligji nuk ka fuqi prapavepruese, por vijuese. Kjo nënkupton se shteti nuk do të prishë asnjë ndërtim me leje në pronën e tij. Ndërsa momenti i dytë lidhet me shitjen e pronës së tij te pronari i ndërtesës, në rastet kur ky pronar është palë e tretë. “Ligji nuk ka efekte prapavepruese, por efekte vijuese. Domethënë nuk ka asnjë kontratë të mbaruar, pasi subjekti e ka marrë me qira për 99 vjet. Këta që kanë ndërtuar nuk janë pronarë të vërtetë, por e kanë shitur ndërtimin. Ne nuk do t’i penalizojmë palët e treta, por do të shesim tokën mbi të cilën kanë banesat”, - theksoi Pango. Sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria, investitori që ka pasur detyrimin që ruajë destinacionin e veprimtarisë turistike do të penalizohet në masën 100 për qind të vlerës së investimeve. Megjithatë, duket sikur deputetët e opozitës nuk janë bindur dhe janë deklaruar kundër projektit të qeverisë. Sipas tyre, ai është një ligj që jo vetëm nuk zgjidh situatën kaotike të ndërtuar në bregdetin shqiptar, por e çorienton atë më keq.
11 Korrik 2008