E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH zbulon skandalin e tokave

• Zbulohen abuzimet me shitjet e tokave në bregdet. Trojet turistike janë shitur për toka bujqësore, dhe jo vetëm kaq.

Fabiola Çela

Në Orikum një sipërfaqe toke është e regjistruar në emër të tre pronarëve, duke krijuar kështu një rrëmujë të vërtetë. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë përfunduar kontrollin e tyre në disa qarqe, ku kanë evidentuar shkelje të pafundme në shitjen e tokave në bregdet. Raporti i KLSH-së ka gjetur shkelje edhe në Bashkinë e Korçës, në Komunën e Dajtit si dhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë. Për të gjitha këto abuzime, KLSH ka dërguar për kallëzim penal disa ish-zyrtarë të lartë, ku një prej tyre është edhe ish-kryetari i Bashkisë së Orikumit, Beqir Kashuri.
Trojet
Abuzimet më të mëdha me trojet janë kryer në një nga perlat e bregdetit shqiptar, në Orikum. Gjatë kontrollit në këtë bashki, ekspertët e KLSH-së kanë konstatuar se, nuk ka asnjë dokument bazë për ndarjen e tokave, ndarja e tyre është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Gjithashtu nga komisionet e ndarjes së tokës janë dhënë 123.14 ha tokë në përdorim në fshatin Orikum, Tragjas dhe Radhimë, por këto toka janë dhënë në një zonë ku ishte planifikuar të zhvillohej turizmi. Pra tokat turistike janë dhënë për toka bujqësore, duke shkelur kështu çdo ligj për kthimin e pronave. Gjithashtu janë dhënë 255610 metër katror tokë në përdorim në një kohë kur sipas librit të ngastrave nuk figurojnë në zërin kadastral 'arë', dhe për rrjedhojë nuk përfitojnë nga Ligji nr. 7501. Përveç këtyre shkeljeve në Bashkinë e Orikumit janë gjetur 27 raste me problem mbivendosjen, ku për të njëjtën pronë figurojnë tre pronarë. Pra jo mbivendosje, por tri herë mbivendosje, duke e bërë gati të pamundur gjetjen e pronarit të vërtetë. Për fat të keq abuzimet me ndarjen e pronave në bregdet nuk përfundojnë me kaq. Bashkiaku i Orikumit u ka dhënë tokë disa personave, të cilët ishin kompensuar një herë në Dukat. Me këtë veprim këta persona janë kompensuar dy herë, duke përfituar toka si në Dukat ashtu edhe në Orikum. Bëhet fjalë për 31 raste, kur personat edhe pse kanë marrë tokë në fshatin Dukat, një fshat malor, janë kompensuar gjithashtu edhe në bregdet me 212229 metra katror tokë turistike. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kaluar në sitën e tyre edhe punën e bërë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku janë konstatuar se janë kryer regjistrime në kundërshtim me ligjin "Për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme në raste të veçanta". Sipas KLSH-së janë evidentuar 19 raste me sipërfaqe totale prej 157810 metra katror. Përveç kësaj shkelje janë gjetur edhe në fshatin Radhimë e Tragjas. Sipas të dhënave nga KLSH në këto dy fshatra, punonjësit e zyrave e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë, në bashkëpunim me agjencinë topografike kanë regjistruar një sipërfaqe prej 1.282.328 metër katror tokë më shumë. Në një rrethanë të tillë KLSH-së ka dërguar për kallëzim penal 3 ish-kryetarë të komisionit të ndarjes të tokës në Bashkinë e Orikumit, ndjeke penale për dy ish-kryepleq të fshatit Radhimë dhe për ish-kryetarin e komisionit të ndarjes së tokës për fshatin Tragjas. Ndjekje penale është kërkuar për dy ish-përgjegjës të SAMT-i, Këshillit të Qarkut Vlorë dhe për ish-kryetarin e Bashkisë së Orikumit.   
Dajti
Ekspertët e KLSH-së kanë gjetur shkelje të kryera nga zyrtarë të lartë edhe në Komunën e Dajtit. Efekti financiar i këtyre shkeljeve është 148.8 milionë lekë. Vetëm nga mospagimi i 1 për qind të vlerës së investimit, dëmi i shkaktuar arrin vlerën prej 136.9 milionë lekë. Gjithashtu nga ndarja e shpërblimeve të pamerituara është shkaktuar një dëm prej 1.7 milionë lekë. Nga mosvjelja e takës për ndërtesën dhe taksën për tokën bujqësore është shkaktuar një dëm prej 8.5 milionë lekë. Edhe në këtë komunë janë kryer abuzime me ndarjen e tokave. Nga kontrolli i KLSH-së ka rezultuar se, nga ish-komisioni i tokës në fshatin Linzë është ndarë për tokë 'arë', një sipërfaqe prej 35350 metër katror, në një kohë kur kjo sipërfaqe tokë në librin e ngastrave figuron në zërin kadastral 'pyll'. Pas kontrollit në këtë komunë KLSH-së ka rekomanduar 17 masa administrative, një gjobë në shumën e 100 mijë lekëve dhe zgjidhjen e kontratës individuale të tre punonjësve të zyrës së urbanistikës së komunës.

Abuzimet me pronat

Abuzimet në Bashkinë Orikum

• Mungojnë këto dokumente për procesin e ndarjes së tokës: Origjina e pronës e vitit 1945, regjistri i bashkëthemeluesve të kooperativës bujqësore, certifikata e trungut familjar 1945-1956, certifikata e trungut familjar e vitit 1991, deklaratat e ish-punonjësve, të cilat kanë hequr dorë nga e drejta e marrjes së tokës.

• Nga komisionet e ndarjes së tokës janë dhënë akte të marrjes së tokës në pronësi apo përdorim për sipërfaqen 123.14 ha për fshatin Orikum, Radhimë e Tragjas, të ndara në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit. Ndarja e tyre është bërë në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave.

• Janë dhënë akte të marrjes së tokës në pronësi apo përdorim për sipërfaqen me 255610 metra katrorë, në një kohë ku sipas Ligjit të Ngastrave, nuk figurojnë në zërin kadastral 'arë' dhe nuk janë objekt i ligjit nr. 7501 'Për tokën'.
 
• Janë ndarë më tepër 157000 metra katrorë tokë bujqësore sesa sipërfaqja që kanë pasur faktikisht parcelat

• Janë konstatuar 27 raste, ku aktet e marrjes së tokës në pronësi janë me mbivendosje, deri në tre pronarë me të njëjtin lloj akti dhe për të njëjtën parcelë

• Ka mungesë dokumentacioni në dhënien e një sipërfaqeje tokë prej 965.146 metra katrorë

• Janë dhënë akte të marrjes së tokës në përdorim për sipërfaqen 121.229 metra katrorë në qytetin Orikum për 31 raste, ndërkohë që këta përfitues kanë marrë tokë në Dukat, me një sipërfaqe prej 406.854 metra katrorë
     
Vlorë

• Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, janë gjetur regjistrime të kryera në kundërshtim me urdhrin për "Regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme në raste të veçanta", për 19 raste me një sipërfaqe total prej 157810 metra katrorë

• Në Radhimë dhe Tragjas pas regjistrimit fillestar të kryer nga ZVRPP, në bashkëpunim me agjencinë topografike kanë rezultuar 1282328 metra katrorë sipërfaqe toke me tepër

Dajt

• Nga ish-komisioni i tokës për fshatin Linzë është ndarë për tokë 'arë', sipërfaqja prej 35.350 metër katrorë, e cila sipas librit të ngastrave figuron në zërin kadastral "pyll"

• Në formularin 6, përveç emrave të tjerë që kanë përfituar tokë bujqësore është shënuar edhe një person, i cili ka përfituar 'për tokë bujqësore' sipërfaqen prej 2300 metra katrorë, e cila është 'pyll'

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›