E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve e Milan nuk e lëshojnë kreun e Serie A

SHKRUAN: Jeton Selimi 09-01-2012 18:58

Në ndeshjet e tjera të ditës, Udineze ka shpartalluar 4-1 Çezenën e Bogdanit dhe është dy pikë poshtë vendit të parë. Fiton edhe Roma që mund 2-0 Kievon.

Juventusi e Milani luanin dje respektvisht kundër Leçes dhe Atalantës në transfertë, me objektivin e vetëm fitoren, për t’iu përgjigjur kështu Interit që kishte fituar një ditë më parë 5-0 ndaj Parmës.

Bardhezinjtë e Antonio Kontes zbritën në fushën e lojës me formacionin 4-3-3, duke hedhur në vijën e parë Vuçiniç, Pepe e Kuajliarela. Ndeshja është e fortë, kjo pasi verdhekuqtë nuk lënë shumë hapësira, pasi mbrohen me forca të shumta. Në fillim Juventusi kërkon të aplikojë lojën e zakonshme, por më pas nis të gjuajë nga jashtë, duke rrezikuar në disa raste, derisa Matri, që futet në vend të Kuajliarelës që dëmtohet, shtyn me kokë topin e grushtuar nga portieri i Leçes, që nuk e kontrollon dot sferën pas goditjes së fortë të Vuçiniç. Leçe kërkon të befasojë nga goditjet standarte mbrojtjen bardhezi, por Xhixhi Bufon është në një ditë të mirë dhe largon rrezikun në dy raste. Me ketë rezultat mbyllet pjesa e parë e ndeshjes në “Via del Mare”. Në pjesën e dytë, vendësit bëhen më agresivë, por nuk do të arrijnë të realizojnë, pasi nuk kanë saktësinë e duhur në finalizimin e aksioneve. Tre pikë me vlerë për Juventusin, që shkon në kuotën e 37 pikëve, po aq sa edhe Milani, me të cilin ndan vendin e parë në tabelën e renditjes.

Milani e pret derbin me fitore

Milani e dinte se në Bergamo do ta kishte të vështirë, kjo pasi Atalanta do të kërkonte të hiqte disi nga shpina ngjarjet e fundit të skandalit të basteve. Megjithatë, kuqezinjtë do të kenë edhe një herë ndihmën e gjyqtarit, që sajon një penallti të paqenë për Paton. Ibrahimoviç ekzekuton nga 11 metra dhe shënon golin e avantazhit për Milanin. Në pjesën e dytë loja bëhet më e vrullshme, me Atalantën që bën presion në 30 minutat e parë të saj. Një shtyllë dhe disa raste të vendasve frikësuan kuqezinjtë, por në fund gjithçka përfundoi mirë. Pas një asisti nga njeriu i ndeshjes, Zllatan Ibrahimoviç, Kevin Princ Boateng mbylli gjithçka nga fare pranë portës në minutën e 82-të, duke i shkaktuar disfatën parë në shtëpi në këtë sezon Atalantës. Javës tjetër, në “San Siro” do të luhet ndeshja e madhe, derbi i “Madoninës”, ku kuqezinjtë do tëp resin zikaltërit e Ranierit.

Të tjerat

Fitore kanë arritur edhe Udineze, Roma e Fiorentina. Friulianët kanë shpartalluar 4-1 Çezenën me golat e Di Natales (2) Asamohas dhe Bastas. Fiorentina ka mposhtur në transfertë 3-0 Novarën e Samir Ujkanit. Dy gola të Jovetiç dhe një i Montolivos u kanë dhënë vjollcëve tre pikë me vlera. Roma konfirmon momentin e mirë, pasi ka mposhtur 2-0 Kievon. Heroi është Françesko Toti që ka kthyer në gol dy penallti të dhëna, nga një për çdo pjesë. Në luftën për mbijetesë, Kajliari mposht 3-0 Xhenoan dhe Bolonja 2-0 Katanian.

Serie A

Të shtunën

Siena – Lacio 4-0

Inter – Parma 5-0

Dje

Udineze – Çezena 4-1

Leçe – Juventus 0-1

Kaljari – Xhenoa 3-0

Bolonja – Katania 2-0

Atalanta – Milan 0-2

Novara – Fiorentina 0-3

Roma – Kievo 2-0

Palermo – Napoli X-X

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›