Ministri shqiptar Vangjel Tavo anulon vizitën në Beograd

Gjatë një konference për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama konfirmoi anulimin e vizitës së ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo në Beograd, ku e argumentoi si kundërpërgjigje të institucionit që Tavo drejton ndaj sjelljes së Serbisë në Luginën e Preshevës.
Megjithatë ai shpjegoi se ministri do të gjejë patjetër një moment të dytë për këtë vizitë, pasi qëllimi i saj është nënshkrimi i një marrëveshje për realizimin e një investimi me rëndësi për maternitetin e Preshevës, i cili do t’u vijë në ndihmë shqiptarëve të Luginës.
Nga ana tjetër Rama garantoi se LSI do të bëjë gjithçka për sigurimin e të drejtave të këtij komuniteti atje.
“Ka pasur një vizitë të programuar të zotit Tavo në Beograd dhe u anulua për shkak të ngjarjeve të fundit në Preshevë, si një reagim ndaj kësaj sjellje. Pavarësisht kësaj Tavo duhet të nënshkruante një marrëveshje për të realizuar një investim të rëndësishëm në maternitetin e Preshevës, për tu ardhur në ndihmë atij komuniteti. LSI është e vendosur të bëjë të gjithë detyrën e saj, të përkujdeset për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo punojnë apo jetojnë. Është një investim serioz, pjesë e një projekti serioz për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të Preshevës. Do të mbrojmë interesat e tyre”, tha ai./Indeksonline/