KMDLNJ për vendvarrimet : Lojë me ndjenjat e familjarëve

Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë, ka reaguar përmes një komunikate kundër, siç thuhet, deklaratave të pasinqerta të drejtuesve të Shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve” me seli në Mitrovicë.
Sipas kësaj komunikate, gjatë dy ditëve të fundit në disa mjete të përditshme të informimit të Kosovës, kanë zënë hapësirë informacione të dyshimta nga drejtues të Shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve”, lidhur me kinse zbulimin nga kjo shoqatë të një dokumenti të policisë serbe për vrasjet dhe vendvarrimet e 42 shqiptarëve nga forcat serbe, në pjesë të ndryshme të komunës së Mitrovicës dhe në atë të Zubin Potokut.
“Deklaratat pompoze të kryetarit të Shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve”, me të drejtë kanë alarmuar familjet e të pagjeturve në komunën e Mitrovicës dhe më gjerë. Andaj, e shohim të udhës që familjarët dhe opinionin e gjerë ta njoftojmë se asnjë nga këto të dhëna nuk janë “zbulim” i ri. Të gjitha këto informacione, QR e KMDLNJ-së në Mitrovicë i ka që prej përfundimit të luftës dhe këto i ka bërë publike, ndërkohë që ua ka dërguar të gjitha organeve kompetente vendore dhe ndërkombëtare, dhe gjenden në Këshillin qendror të KMDLNj-së në Prishtinë.
Madje, një informacion për varrezat në të dyja pjesët e varrezave të qytetit në veri të Mitrovicës, për të cilat flet sot kryetari i Shoqatës për të pagjetur “Zëri i Prindërve”, ku në pjesën e varrezave afër lumit Ibër, shihen varrezat e reja, rreth 20 sosh, në mesin e varrezave të vjetra, të shënuara nga serbët me numra rendorë”, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë
Sipas QR të KMDLNJ-së në Mitrovicë, reagimi kësaj radhe i Shoqatës për të pagjetur “Zëri i Prindërve”, nuk është i sinqertë dhe duket sikur një lojë me ndjenjat e familjarëve të personave të pagjetur./Indeksonline/