Nuk ndahet PDK-ja

Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës, paralajmërimet për ndarje të një grupi dhe formimi të një partie të re, analistët politikë i kanë cilësuar si eskalim normal të retorikës në kohën kur kjo parti gjenden në zgjedhjet e brendshme. Sipas tyre, as pas këtyre deklarimeve të ashpra kudër njëri-tjetrit nga ana e figurave të rëndësishme në PDK nuk do të ketë ndarje, meqë me formimin e partive të reja sipas tyre nuk do të përfitonin as Jakup Krasniqi e as PDK-ja.
Analisti, Ardian Arifaj ashpërsimin e retorikës së zyrtarëve të lartë të PDK-së në mes vete e ka quajtur normale meqë kjo parti është duke kaluar nëpër një proces të brendshëm zgjedhor, shkruan gazeta “Lajm”.
“Në fakt do të thosha që e gjitha është pak a shumë normale se partia është në proces zgjedhur, sigurisht që ka më shumë tensione dhe fërkime brenda partisë. Më së pari nuk do ta quaja këto zhvillime si një eskalim të jashtëzakonshëm, përkundrazi në kohë të zgjedhjeve ma merr mendja që një eskalim i tillë është normal”, ka thënë Arifaj.
Sipas tij, ashpërsimi i retorikës është brenda kornizave të normales derisa mbetet në nivel verbal.
“Ky eskalim është ende në nivel verbal, ka vetëm fjalë e nuk kemi parë ende ndonjë hap konkret, drastik ai dalje të Jakup Krasniqit nga partia apo diçka tjetër. Në anën tjetër duhet të kujtojmë që Partia Demokratike e Kosovës është partia e vetme që nuk e ka humbur ndonjë zyrtar të lartë të saj, gjithmonë ka gjetur mundësi dhe zgjidhje që ata të akomodohen edhe ata më të pakënaqurit në parti”, ka deklaruar Arifaj.
Në anën tjetër, Behgjet Shala ka thënë që me largimin eventual të Jakup Krasniqit nga PDK-ja ky i fundit nuk do të përfitonte shumë, mirëpo sipas tij kjo parti do të dëmtohej më shumë. /Indeksonline/