E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruani tash

Ministrat e Qeverisë së Kosovës do të kenë edhe një obligim shtesë. Ata do të nënshkruajnë çdo tender që kalon shifrën 10 mijë euro. Me këtë do të jenë përgjegjës po aq sa shefi i prokurimit dhe sekretari i përhershëm në rast të dallavereve me tenderë të ndryshëm. Asnjë kontratë publike me vlera të majmë nuk mund të kalojë pa nënshkrimin edhe të ministrit përkatës.

Ky është vendimi i fundit i Qeverisë se Kosovës. Në mbledhjen e të mërkurës, qeveritarët miratuan një udhëzim administrativ, sipas të cilit për të gjitha kontratat publike në vlerë mbi 10 mijë euro, duhet nënshkrimi i ministrit përkatës dhe i sekretarit të përhershëm.
Deri tani në të gjithë tenderët publikë ka figuruar nënshkrimi i shefit të prokurimit publik të autoritetit kontraktues.

Ky udhëzim administrativ, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës dhe në pajtim me rregulloren e punës së Qeverisë së Kosovës. Ndërkaq, nënshkrimi i kontratave publike do të bëhet sipas këtij udhëzimi, derisa të nxirret Ligji i ri i prokurimit publik.

Sipas Thaçit, ky udhëzim ka për qëllim të rregullojë procedurën e nënshkrimit të kontratave me vlerë të mesme dhe të madhe me qëllim të sigurimit që burimet publike të përdoren në mënyrë ekonomike, efikase dhe transparente.

“Kontratat me vlerë mbi 10 mijë euro do të nënshkruhen edhe nga sekretarët permanentë dhe ministrat përkatës të ministrive që udhëheqin”, tha Thaçi.

Sipas kreut të ekzekutivit, ky propozim është në harmoni të plotë me standardet e Komisionit Evropian. Ky vendim vlen për të gjitha nivelet, si ministritë, agjensionet publike dhe nivelin lokal.

Gjithashtu, ky udhëzim është një pjesë e rëndësishme e reformës në prokurimin publik që del edhe nga raporti i progresit, por edhe masë dhe preventivë direkte në luftën anti-korrupsion.

Zëdhënësi i Qeverisë se Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë për Express se qëllimi i këtij udhëzimi është rregullimi më i mirë i procedurave të prokurimit. Për ato kontrata që vlerësohen si të mesme dhe të mëdha, Krasniqi thotë se duhet të nënshkruajë edhe ministri.

“Kjo e mundëson një transparencë me të madhe dhe është në vazhdën e reformave në fushën e prokurimit publik”, ka thënë ai.

Raporti i fundit i progresit ka kritikuar qeverinë se nuk qëndron mirë në fushën e prokurimit publik dhe i kërkohet asaj të bëhen reforma.

Zëdhënësi i qeverisë nuk e pranon se ky udhëzim vjen si rezultat i presionit ndërkombëtar, por thotë se deri në nxjerrjen e Ligjit të ri të prokurimit, udhëzimi do të kontribuojë që raporti i ardhshëm i progresit të jetë më i mirë.

Zyrtari i ICO-së për çështje ekonomike, Andrea Capussela, dje i ka thënë Express-it se autoritetet ndërkombëtare janë në Kosovë për të përmirësuar mekanizmat përkatës për të ndaluar krimin ekonomik.

”Niveli i krimit financiar varet nga gatishmëria e organeve të drejtësisë për ta luftuar atë”, ka thënë ai.

Ndryshe, në mbledhjen e fundit, ekzekutivi ka miratuar edhe propozim-vendimin për shtyrjen e afatit për shlyerjen e borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›