E Diel, 1 Nëntor 2026

KNI diskuton Raportin e KE për situatën e pasheqjes së vizave me Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit për 12 rekomandimet e KE

Nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, pas vendosjes së regjimit të ri të heqjes së përkohshme të regjimit të vizave. Ky është një zhvillim shumë pozitiv, dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës së Shengenit.

Ne duhet të vazhdojmë intensivisht informimin e publikut me të gjitha aspektet e procesit. Sikundër duhet të vazhdojmë konsolidimin një për një të kërkesave të Udhërrëfyesit, të cilat në tërësinë e tyre veçse e bëjnë këtë vend më të sigurt, shtetin ligjor më funksional.

Shqipëria dhe shqiptarët do të mund të ecin drejt BE, si  një shoqëri dhe një vend i shtetit ligjor, i funksionimit të tij, si kusht i të gjitha kushteve, si kushti më themelor i kritereve të Kopenhagenit.

Rezultati i ngushtë [në bashkinë e Tiranës] është edhe testi më i madh për shtetin ligjor. Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor, se në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor.

Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj të kuptojë se jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë.

Komiteti Ndërministror për Integrimin diskutoi sot, me propozim të Kryeministrit Berisha, mbi dy çështje të rëndësishme: Raportin e Komisionit Europian mbi situatën, pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian.

Lidhur me çështjen e parë, Kryeministri Berisha, duke sjellë konkluzionet e Raportit të KE-së se Shqipëria është në parametrat më optimalë, nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, u shpreh se ky zhvillim shumë pozitiv është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të vendeve të zonës së Shengenit.

Pavarësisht këtyre konstatimeve pozitive, Kryeministri kërkoi jo eufori, por konsolidimin e çdo kërkese të Udhërrëfyesit. Kryeministri i kërkoi gjithashtu, ministrit të Brendshëm vazhdimin e informimit të publikut nëpërmjet spoteve televizive, për të gjitha aspektet e këtij procesi, duke vënë theksin se zgjatja e qëndrimit tej afatit të parashikuar nuk ka asnjë avantazh finanicar.

Çështja e dytë që KNI mori në shqyrtim ishte Plani i Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha tha se që nga 31 janari kur projekti me punën e bërë për zbatimin e këtyre rekomandimeve iu dorëzua KE-së, janë organzuar konsultime me KE-në, takime me grupet e interesit, agjencitë përkatëse dhe shoqërinë civile.

Kryeministri Berisha ftoi opozitën të përmbushë detyrimet e saj këtë drejtim, duke kuptuar se “jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë”.

Më gjerë lidhur me këto çështje, Kryeministri u shpreh:

“Përshëndetje,

Thirra mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit për të trajtuar dy probleme shumë të rëndësishme. Problemi i parë është Raporti i Komisionit mbi situatën, pas heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Maqedninë dhe Shqipërinë. Nga kjo analizë që Komisioni i bën çështjeve të dala nga heqja e përkohshme e vizave për qytetarët e këtyre vendeve rezulton se Shqipëria është në parametrat më optimalë, rezulton se janë bërë përpjekje dhe vazhdojnë përpjekjet serioze për të konsoliduar më tej dhe në të gjitha drejtimet kërkesat e Udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Fakti është fakt, nuk ka rritje të numrit të azilkërkuesve nga Republika e Shqipërisë, pas vendosjes së regjimit të ri të heqjes së përkohshme të regjimit të vizave.

Ky është një zhvillim shumë pozitiv, është dëshmi e qëndrimit të përgjegjshëm të qytetarëve shqiptarë ndaj një vendimi iluminist të qeverive të zonës së Shengenit. Vendim, me të cilin ata kanë pranuar që qytetarët e vendeve tona të lëvizin lirshëm në territorin e kësaj zone. E kam theksuar dhe e theksoj se në rast se këto vende do të bënin një referendum, ju garantoj se secili nga këto kombe do të votonte ndryshe nga sa ne do të donim, pra, do të votonin me një ‘jo’. Por qeveritë e kanë kapërcyer dhe e theksoj kanë marrë një vendim shumë të favorshëm për ne, që bazohet në veprime të mëdha të lëvizjes së lirë, respektim e saj, lirinë e lëvizjes.

Nga ana tjetër, është e domosdoshme që ne këtë provë, këtë sukses të bëjmë gjithçka që ta konsolidojmë më tej. Në mënyrë absolute nuk mund të ketë vend për një ndjenjë euforie, përkundrazi, ka vend që çdo hallkë e Udhërrëfyesit të konsolidohet, të zhvillohet më tej. Ky duhet të jetë qëndrimi ynë i prerë. Ne bëmë një punë të shkëlqyer në propagandën televizie, për t’ju qartësuar qytetarëve domethënien e këtij Akti. Ne duhet ta vazhdojmë atë. Ndaj zoti ministër i Brendshëm ky komunikim nëpërmjet spoteve televizive, me qytetarët duhet të vazhdojë. Komisioni e sugjeron këtë për të gjitha vendet dhe jo në mënyrë specifike për Shqipërinë dhe Komisioni kërkon të vihet theksi se nuk ka asnjë avantazh financiar zgjatja e qëndrimit tej afatit të parashikuar. Kjo të zbërthehet dhe të paraqitetet në formë reklame televizive në televizionet qendrore dhe ato lokale, si dhe në ndonjë formë tjetër.

Komisioni në mbledhjen e tij të fundit votoi mekanizmin që nuk ekzistonte, të anullimit të heqjes së vizave. E ka votuar dhe e bëri të gatshëm, sepse ka pasur abuzime nga shtetas të vendeve të tjera dhe një rritje të pamerituar të azilkërkuesve nga Serbia, Maqedonia, por thuhet se edhe nga Bosnja ka pasur fillesat e para. Ndaj është e domosdoshme që edhe në rrafshin individual t’u bëhet e qartë qytetarëve se nga një veprim i pamatuar i tyre jo vetëm që nuk përfitojnë vetë, por dëmtojnë interesin e qindra e mijëra shqiptarëve, të cilët kanë në procesin e heqjes së vizave një mundësi të paprecedent në tërë historinë  tyre. Pra, ne duhet të vazhdojmë intensivisht informimin e publikut me të gjitha aspektet e procesit. Sikundër duhet të vazhdojmë konsolidimin një për një të kërkesave të Udhërrëfyesit, të cilat në tërësinë e tyre, absolutisht, veçse e bëjnë këtë vend më të sigurt, shtetin ligjor më funksional. Pra, janë kërkesa të një themeli të funksionimit të shtetit ligjor. 

Pika e dytë dhe më kryesore e këtij takimi është shqyrtimi i Planit të Veprimit për zbatimin e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian. Siç e dini, projekti për punën e bërë për zbatimin e këtyre rekomandimeve u dorëzua në 31 janar. Janë bërë një seri konsultimesh, shyrtimesh me Komisionin e Integrimit të parlamentit shqiptar, por edhe me Komsionin Europian. Komisioni Europian organizoi me këtë qëllim, në datat 28-29 mars, një seminar me një pjesëmarrje të gjerë të institucioneve të vendit dhe do të thosha më aktive të Komisionit parlamentar të Integrimit. Ky seminar ishte një përpjekje e ndihmë e vërtetë që Komisioni Europian i dha autoriteteve shqiptare, qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit në mënyrë që ky proces të shtyhet përpara me seriozitetin më të madh.

Gjatë kësaj periudhe janë bërë një mori takimesh me grupe interesi, me agjencitë përkatëse dhe shoqërinë civile. Ndërkohë dua të theksoj se kryetarja e Komisionit të Integrimit u zotua se forca e saj politike do të votonte në parlament ligjet, të cilat janë pjesë e paketës prej 12 pikash. Uroj dhe shpresoj që opozita t’i përgjigjet këtij detyrimi dhe të heqë dorë nga praktika se për opozitën është më mirë të bllokojë se sa të votojë, praktikë e cila në mënyrë absolute është tejet ditëshkurtër dhe thellësisht kundërproduktive për ata të cilët  e ushtrojnë.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria dhe shqiptarët do të mund të ecin drejt BE, si  një shoqëri dhe një vend i shtetit ligjor, i funksionimit të tij, si kusht i të gjitha kushteve, si kushti më themelor i kritereve të Kopenhagenit. Nuk mund dhe nuk do të mundet kurrë dhe asgjë që të zëvendësojë funksionimin e shtetit ligjor, ta zëvendësojë me kompromise aprincipiale, zgjidhje te momentit.

Komisioni Evropian me një angazhim ka ndjekur dhe ndjek zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Këto zgjedhje, siç janë vlerësuar ishin zgjedhje që nderuan garën, objektive dhe transparente. Në të gjithë Shqipërinë, në 384 bashki, minibashki dhe komuna, kundërshtitë kanë qenë më të vogla se kurrë në historinë e këtij vendi.

Në bashkinë e Tiranës u paraqit një rezultat i ngushte, kjo është e vërteta dhe nuk ka dyshim që rezultati i ngushtë është edhe testi më i madh për shtetin ligjor. Midis alternativës së zgjidhjes politike dhe alternativës së zgjidhjes së shtetit ligjor, ne u përcaktuam për alternativën e shteti ligjor se, në të vërtetë zgjedhjet, më shumë se çdo tjetër, janë funksionim i shtetit ligjor.

Në demokracitë e Evropës dhe botës ka ligje nga më të ndryshmet për zgjedhjet, asnjë nuk është identik me tjetrin, por ato japin zgjedhje demokratike, kur këto ligje funksionojnë, zbatohen, natyrisht brenda standardeve.

Kështu që ne u pozicionuam për një zgjidhje të shtetit ligjor. Zgjidhja e shtetit ligjor po ecën. Ne nuk mund të konceptonim dhe nuk konceptojmë kurrë, që të mos numërojmë çdo votë. Kjo duhet të jetë dhe është çështje ndërgjegje për çdo njeri që i beson lirisë dhe vlerave të saj. Për çdo forcë politike dhe politikan, në rast se qytetari shqiptar nuk ka të garantuar numërimin e çdo vote, pastaj çdo alternativë tjetër ogurzezë, është staliniste “votoni ju, se numëroj unë dhe pastaj unë numëroj ashtu siç dua”.

Parimi i numërimit të çdo vote, ku qëllimi i qytetarit është shprehur, është parimi më themelor i çdo sistemi zgjedhor, ndaj dhe i qëndruam një parimi të drejtë, parim, i cili ekziston në çdo demokraci. Vota e hedhur në një kuti tjetër, në ligjin shqiptar, por edhe në ligjet e botës, në gjykimet shqiptare, por edhe në gjykimet e botës është e vlefshme, kur zgjedhësi ka shprehur me mendjen e tij,qartë. Megjithatë, ky është qëndrim parimor politik, po ky qëndrim gjeti sanksionim të plotë në vendimin e kolegjit zgjedhor. “5 me 0”, gjykatësit shqiptarë, njëlloj si gjykatësit amerikanë, britanikë apo të çdo vendi tjetër, në, nderim të kushtetutës së tyre dhe të parimit universal të numërimit të çdo vote  deklaruan se nuk mund të përjashtohet nga numërimi, as edhe një votë  e vetme, kur ligji nuk e përcakton atë . Ky është gjykimi. Gjyqtari amerikan Mac R. Fisher  do t’i thoshte ankuesit se për votën, mbrojtjen e saj, njerëzit kanë sakrifikuar jetën, ndaj dhe unë nuk do të pranoj kurrë të përjashtoj nga numërimi votat  e hedhura në një kuti gabim.  Rasti u sanksionua sepse Tirana  e çoi në gjykatë, ndërsa Berati nuk  e çoi, atje u numëruan. Gjirokastra nuk e çoi, e numëroi, e të tjerë me radhë. Kurse këtu, duhej dërguar për dënim, me qëllim që të dënohej vota. Nuk mund të ndodhte kjo.

Ndaj dhe jam i bindur se gjithçka po zhvillohet në kuadrin e shtetit ligjor. Nuk zgjidhet kurë duke vendosur në epiqendër të një propagande, një grup gjykatësish që në këtë moment, në detyrën që u ka besuar shteti dhe shoqëria, janë në vendimet më të rëndësishme.

Ndaj dhe ky test, në vlerësimin dhe gjykimin tim po provon qartë funksionimin e shtetit ligjor në këtë vend dhe kjo është shume e rëndësishme. Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, uroj që të kuptojë se, jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë.

Duhet të përmbushim sa më shpejt ato detyrime që kanë mbetur pa u përmbushur, për shkak të alternativës, e cila thotë se është më e rëndësishme duke bllokuar se duke votuar.

Ndërkohë, ky Plan do të kalojë në Bruksel. Gjatë javës së ardhshme është edhe takimi i delegacioneve parlamentare të vendit, me delegacionet parlamentare të PE-së për Shqipërinë dhe është momenti të bëhet një paraqitje e zgjeruar e të gjitha realizimeve të bëra ndërkohë. Sepse e vërteta është që qeveria, agjencitë  e këtij  vendi, kanë bërë përpjekje për të përmbushur sa më shumë nga detyrimet  që rrjedhin nga Raporti i vitit të kaluar.”


10/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›