E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Ministrin për Evropën të Mbretërisë së Bashkuar, zotin David Lidington

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, Ministrin për Evropën të Mbretërisë së Bashkuar zotin David Lidington.

Ministri Lidington falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i përcolli atij përshëndetjet e Kryeministrit Cameron. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar vlerëson angazhimin thelbësor të Shqipërisë në Afganistan dhe gatishmërinë e saj për të mbështetur operacionet e NATO-s në Libi dhe Tunizi, si tregues të qartë të angazhimit të Shqipërisë në NATO dhe shprehu gadishmërinë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve.

Ministri Lidington e siguroi Kryeministrin se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perendimor dhe në mënyrë të veçantë, e antarësimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Europian e bëjnë procesin e antarësimit të besueshëm dhe solid.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen zotit Lidington, e falenderoi ministrin britanik për të gjithë mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, në mënyrë të veçantë në antarsimin në NATO dhe procesin e integrimit në BE. Në këtë kuadër, Kryeministri siguroi për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe angazhimet e vendit në kuadrin e NATO-s. Duke e cilësuar integrimin në BE, si projektin madhor të shqiptarëve, Kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE. Ai nënvizoi që për të dhe qeverinë e tij ky proces bazohet në performancë dhe meritë.

Kryeministri theksoi se reformat e integrimit në BE të ndjekura nga qeveria kanë një impakt transformues dhe modernizues rrënjësor për Shqipërinë. Në kuadrin e këtyre transformimeve, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka luftuar pa kompromis krimin e organizuar, duke e kthyer Shqipërinë në një vend të sigurt, ka luftuar korrupsionin, duke përmirësuar në mënyrë thelbësore renditjen e Shqipërisë në shkallë botërore, po modernizon vendin, duke futur procedurat elektronike në administratë si dhe nënvizoi stabilitetin e ekonomisë shqiptare, e cila arriti të përballojë me sukses krizën ekonomike botërore.

Ministri Lidington vlerësoi maksimalisht progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit, si dhe rolin personal të Kryeministrit Berisha, të qeverisë dhe Partisë Demokratike të udhëhequra prej tij, në themelimin dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare, transformimin rrënjësor të vendit dhe modernizimin e Shqipërisë nga një vend diktatorial dhe i prapambetur në një shtet demokratik.

Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e fundit lokale dhe zhvillimet pas tyre. Kryeministri Berisha, duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit, i konsideroi zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara deri më sot. Kryeministri Berisha u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë.  Duke u ndalur tek rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës, ai theksoi se një rezultat i tillë ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve.

Pasi mbështeti plotësisht parimin që çdo votë duhet numëruar, Ministri Lidington, theksoi se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura. Në mënyrë të veçantë, ai theksoi se roli i vërtetë opozitës është në institucione dhe jo në rrugë. Ai vlerësoi se bashkëpunimi me vullnet të mire brenda institucioneve, në plotësimin e detyrimeve në kuadrin e integrimit europian është garanci për një integrim të suksesshëm të Shqipërisë në BE.

Në përfundim, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Lidington që t'i përcjellë ftesën, për një vizitë në Shqipëri, Kryeministrit britanik Cameron dhe ministrit të Jashtëm William Hague.


09/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›