Kryeministri Berisha takon guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, zotin Raphael Alomar

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, Guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, zotin Raphael Alomar, i cili ndodhet në Shqipëri me rastin e mbledhjes së 46-të vjetore të Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB).
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Alomar për përzgjedhjen e Shqipërisë në zhvillimin e këtij aktiviteti madhor, si një mundësi e madhe për promovimin e zhvillimeve rrënjësore dhe progresit te arritur nga Shqipëria. Gjithashtu kryeministri Berisha falënderoi për rolin personal të zotit Alomar në intensifikimin e bashkëpunimit me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe financimin e projekteve shumë të rëndësishme për Shqipërinë, me një shumë rreth 120 milion euro.
Nga ana e tij, Guvernatori Alomar, i cili ka patur rastin të vizitojë edhe më parë, disa qytete të vendit, u shpreh se ndihej i impresionuar nga progresi i madh që ka arritur Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit.
Gjatë takimit, zoti Alomar u shpreh se bashkëpunimi për zbatimin e projekteve te financuara nga Banka për Zhvillim e Këshillit te Evropës është një shembull i vërtetë suksesi. Në këtë kontekst, zoti Alomar theksoi se fushat dhe projektet e përzgjedhura për financim janë thelbësore për procesin e integrimit evropian, si dhe të një rëndësie të veçantë për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.
Në këtë takim, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze në tërësi, të sektorëve të mbështetura me financime, te cilat janë të një prioriteti madhor për vendin, si arsimi, shëndetësia, zhvillimi rural, transporti, etj. Në mënyrë të veçantë, kryeministri theksoi rëndësinë për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, si dy fusha me potenciale të mëdha për zhvillimin.
Guvernator i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, Zoti Alomar do të vazhdojë vizitën e tij, gjatë tre ditëve të ardhshme, gjatë të cilës do të organizohen disa aktivitete politike dhe kulturore.
09/06/2011