E Diel, 1 Nëntor 2026

KNI shqyrton 7 kapitujt e parë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian

- Këto dy muaj punë kanë qenë dy muaj punë të frytshme, intensive, në të cilën nuk besoj të jetë punuar kurrë ndonjëherë mbi një dokument, ashtu siç është punuar në përgjigjet e këtij pyetësori.

- është jashtëzakonisht e rëndësishme që, me përqendrimin maksimal, të punohet për kapitujt e tjerë, që në afatin më të parë të mundshëm ta paraqesim materialin e përfunduar në Komisionin Europian.

Sot, u mblodh, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Komiteti Ndërministror i Integrimit, i cili mori në shqyrtim 7 kapitujt e parë të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë. 7 nga 35 kapitujt që përmban pyetësori, të shqyrtuara nga KNI, janë:

Kapitulli 1, Lëvizja e lirë e punëtorëve;

Kapitulli 5, Prokurimi publik;

Kapitulli 13, Peshkimi;

Kapitulli 14, Politikat e transportit;

Kapitulli 17, Politikat ekonomike dhe monetare;

Kapitulli 21, Politikat e transportit transeuropian;

Kapitulli 29, Doganat.

Kryeministri Berisha tha se pas miratimi të kapitujve në KNI-në e radhës, mbeten dy momente të tjera shumë të rëndësishme, përkthimi i kapitujve në anglisht dhe kontrolli i përkthimit.

“Ne - tha Kryeministri - duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çështjen e përkthimit. Pasi miratohen kapitujt në KNI, fillon përgjigja në anglisht e pyetjeve, që e theksoj duhet të jetë përkthim kompetent. Nuk duhet të harrojmë se vlerësimi i përgjigjeve do të bëhet në anglisht dhe jo në shqip.”

Kryeministri Berisha kërkoi përqendrim maksimal në punën për kapitujt e tjerë, që të bëhet e mundur paraqitja në afatin më të parë të mundshëm e pyetësorit të përfunduar në Komisionin Europian.

“Këto dy muaj punë - u shpreh Kryeministri - kanë qenë dy muaj punë të frytshme, intensive, në të cilën nuk besoj të jetë punuar kurrë ndonjëherë mbi një dokument, ashtu siç është punuar në përgjigjet e këtij pyetësori, të cilën e rithem, përbën një lloj provimi për të gjithë ministritë, agjencitë, qeverinë dhe vendin në tërësi.”

Më tej, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu bëri një paraqitje më të detajuar të kapitujve në shqyrtim. Sipas zonjës Bregu, në procesin e përgjigjes së pyetjeve janë përfshirë 1200 punonjës të administratës shqiptare, ku gjithsecili prej tyre ka pasur pyetje dhe përgjigje në ngarkim.

Ministrja Bregu u ndal më konkretisht në secilin kapitull.

Kapitulli 2, Lëvizja e lirë e punëtorëve, i cili është drejtuar dhe koordinuar nga Ministria e Punëve dhe çështjeve Sociale, ka 36 pyetje dhe trajtohen statusi i punëtorëve dhe lëvizja e tyre në vendet e BE-së, si dhe anëtarët e familjeve të tyre. Për plotësimin e këtij kapitulli janë zhvilluar 6 takime të grupeve ndërministrore të punës, me pjesëmarrjen e plotë të institucioneve kontribuuese si Instituti i Sigurimeve Shoqërore, AMF, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme nëpërmjet DAP-it, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financës. Të gjitha materialet, diskutimet dhe vërejtjet, të cilat kanë qenë prezent në formatin e KKNI-së e që janë marrë parasysh, gjenden të pasqyruara në këtë kapitull që shqyrtojmë sot.

Kapitulli 5, Prokurimi Publik, është koordinuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. Kapitulli përmban 22 pyetje që lidhen kryesisht me detyrimet e përcaktuara në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në fushën e prokurimit publik, si transparenca, trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi në procedurat e prokurimit. Grupi ndërinstitucional i punës për këtë kapitull ishte i përbërë vetëm nga institucionet Agjencia e Prokurimit Publik dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kontributi i së cilës ishte i nevojshëm për dy pyetje të këtij kapitulli. Përgjigjet janë dorëzuar brenda afatit dhe sigurisht, për të gjithë kapitujt që shqyrtojmë sot përgjigjet janë hartuar në përputhje dhe mbi udhëzimin dhe metodologjinë për hartimin e përgjigjeve të pyetësorit. Kapitulli është i përkthyer edhe në anglisht.

Kapitulli 13, Peshkimi, i koordinuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Në këtë kapitull janë 53 pyetje, të cilat trajtojnë çështje të menaxhimit të flotës dhe resurseve, inspektimit, kontrollit, politikave të tregut, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në fushën e peshkimit, si dhe legjislacionit aktual në fuqi. Në këtë kapitull kanë qenë pjesëmarrës institucione si Ministria e Bujqësisë, INSTAT, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ka pasur bashkëpunim midis institucioneve dhe nuk ka pasur probleme madhore dhe sigurisht besoj se takimet dhe kontaktet kanë qenë në maksimumin e tyre për të bërë më të mirën e mundshme. Edhe në këtë kapitull janë reflektuar komentet. Ne presim që të kemi një draft tjetër përfundimtar edhe për formatin e parë të parashikimit të termave në gjuhën angleze, i cili është përgatitur nga Ministria e Mjedisit.

Kapitulli 14, Politikat e transportit, i koordinuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kapitulli ka 87 pyetje, të cilat trajtojnë situatën aktuale të transportit ajror, hekurudhor, detar, rrugor dhe kombinuar, si dhe afrimin gradual drejt standardeve të BE-së. Institucionet kontribuuese në këtë kapitull kanë qenë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave dhe Regjistri Detar Shqiptar. Gjithashtu, kanë kontribuar Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financës, Ministria e Mjedisit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme dhe ndihmuar me materiale edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Kapitulli 17, Politikat ekonomike dhe monetare. Ky kapitull përmban 43 pyetje, të cilat trajtojnë politikat ekonomike dhe monetare. Ky kapitull është drejtuar dhe koordinuar nga Banka e Shqipërisë dhe në të ka detaje për politikat fiskale, si dhe legjislacionin aktual në fuqi. Kontribuues përveç Bankës, janë edhe Ministria e Financave, AMF, Ministria e Integrimit dhe INSTAT. Të gjitha sugjerimet janë reflektuar në materialin e sjellë sot këtu.

Kapitulli 21, Politikat e transportit transeuropian, i koordinuar përsëri nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me 18 pyetje dhe me kontribuues edhe Ministrinë e Ekonomisë.

Kapitulli 29, Doganat dhe është kapitulli i parë i Ministrisë së Financave, i sjellë këtu. Lider ka qenë Ministria e Financave dhe të përfshira Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Financave, Prokuroria e Përgjithshme, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Ekonomisë dhe INSTAT.

Në përfundim, Ministrja Bregu kërkoi nga anëtarët e KNI-së ruajtjen e ritmit të punës dhe respektimin e kalendarit kohor në përgatitjen e kapitujve të pyetësorit.

Më poshtë fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e KNI-së:

Ky është një takim shumë i veçantë i Komitetit Ndërministror të Integrimit, pasi sot ne mblidhemi për të shqyrtuar përgjigjet e pyetjeve të 7 prej 35 kapitujve që përbëjnë pyetësorin, që Komisioni Europian i ka dorëzuar qeverisë shqiptare dhe në të cilin janë angazhuar mbi 400 ekspertë të të gjitha fushave, si dhe dhjetëra specialistë të huaj të vendeve mike, që kanë kaluar këtë proces me sukses.

Pas kësaj mbledhjeje dhe miratimit të këtyre kapitujve, puna nuk përfundon këtu. Përkundrazi, mbeten dy momente shumë të rëndësishme, përkthimi i tyre në anglisht dhe kontrolli i përkthimit, në përgjegjësinë e plotë, sepse që anglishtja e Tiranës të përputhet plotësisht me anglishten e Brukselit, duhet të jemi të vetëdijshëm që duhet një punë jashtëzakonisht e kujdesshme. Dhuntia gjuhësore e shqiptarëve është e njohur, ndaj le të shkëlqejë ajo në këtë rast, në mënyrë që të ketë një përputhje sa më të madhe në këtë gjuhë ndërkombëtare. Kjo sepse gjetja e termave të përshtatshëm ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ekziston një fjalor i termave të pyetësorit. Ndoshta do të jetë e domosdoshme që në variantin shqip, me kursiv të shënoni termat dhe t’i krahasoni me durim me të gjitha termat korresponduese në anglisht, sepse ndonjëherë, për hir të së vërtetës, mospërdorimi i tyre ndërron qartësisht kuptimin, ashtu siç ndodh edhe në gjuhën shqipe. Ndaj ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çështjen e përkthimit. Pasi kapitujt miratohen në KNI, fillon përgjigja në anglisht e pyetjeve, që e theksoj duhet të jetë përkthim kompetent. Nuk duhet të harrojmë se vlerësimi i përgjigjeve do të bëhet në anglisht dhe jo në shqip dhe nuk mund të themi se unë kisha ndërmend këtë apo atë. Pas përkthimit ministrat, drejtuesit e agjencive do të kenë të gjithë materialin në dorë. I vetmi institucion, Banka e Shqipërisë e ka sjellë në gjuhën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në anglisht.

Kapitujt që ne trajtojmë sot janë:

Kapitulli 1, Lëvizja e lirë e punëtorëve;

Kapitulli 5, Prokurimi publik;

Kapitulli 13, Peshkimi;

Kapitulli 14, Politikat e transportit;

Kapitulli 17, Politikat ekonomike dhe monetare;

Kapitulli 21, Politikat e transportit transeuropian;

Kapitulli 29, Doganat.

Pra, sot kemi për shqyrtim 7 kapituj, çka përbën vetëm 1/5 e pyetësorit.

Zotërinj ministra,

është jashtëzakonisht e rëndësishme që, me përqendrimin maksimal, të punohet për kapitujt e tjerë, që në afatin më të parë të mundshëm ta paraqesim materialin e përfunduar në Komisionin Europian. Këto dy muaj punë kanë qenë dy muaj punë të frytshme, intensive, në të cilën nuk besoj të jetë punuar kurrë ndonjëherë mbi një dokument, ashtu siç është punuar në përgjigjet e këtij pyetësori, të cilën e rithem përbën një lloj provimi për të gjithë ministritë, agjencitë, qeverinë dhe vendin në tërësi.


18/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›