E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet në Kuvend deklaratën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Joao Soares

"Organizatat monitoruese të zgjedhjeve në Shqipëri kanë rikonfirmuar vlerësimet e tyre për zgjedhjet e 28 qershorit, si zgjedhje të lira dhe të ndershme. I gjithë faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që, brenda afatit Kushtetues, të zërë vendet e saj në Parlament.

Sot pasdite ka pasur një deklaratë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotit Soares, i cili është një personalitet i shquar dhe që ka treguar interes të veçantë për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai vizitoi vendin tonë para zgjedhjeve të 28 qershorit, për të parë vetë të gjitha përgatitjet serioze që po bëheshin për ato zgjedhje, dhe bëri vlerësimin e tij objektiv në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Në deklaratën e tij, për të cilën unë dua ta falënderoj përzemërsisht, Presidenti Soares i referohet plotësisht konkluzioneve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, i bën thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës shqiptare që t’i japë fund menjëherë bojkotit dhe të zërë vendet në Parlament. Sikundër, Presidenti Soares mirëpret vullnetin e maxhorancës dhe opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e plotë të zgjedhjeve, në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit dhe vendimeve të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese.

Unë jam këtu për të garantuar Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe Presidentin Soares për vullnetin e plotë të mazhorancës për t’u angazhuar në reforma të thella dhe të gjithanshme me opozitën; për të respektuar plotësisht të drejtën e opozitës, sepse këtu nuk i bëhet asnjë lëshim opozitës. Opozita ka të drejtën e saj për Komision Hetimor Parlamentar dhe për të hetuar çdo gjë tjetër, përveç atyre problemeve për të cilat kanë vendosur gjykatat dhe për të cilat Kushtetuta e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk autorizojnë as maxhorancën dhe as opozitën të ndërmarrin ndonjë hap në këtë drejtim.

është në interesin më të mirë të vendit që edhe ky dokument i ri, i lëshuar sot nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, një personalitet i shquar, me përkatësi partiake socialiste, të cilin unë e vlerësoj, të jetë një nxitje tjetër për suksesin e tryezës nga e cila me të vërtetë mund të dilet, në bindjen time më të thelle, me rezultate plotësisht të prekshme, të cilat bëjnë të mundur kthimin e opozitës në Parlament.

Ndonëse raporti nuk kërkon që mazhoranca ti japë shumicën pakicës, unë e kam bërë këtë zotim dhe do ta mbaj, që në Komisionin Hetimor Parlamentar, ti krijojmë opozitës mundësi reale që në çdo votim të jetë shumicë. Garantoj opozitën se ne i qëndrojmë premtimit tonë, si dëshmi e një vullneti të hekurt për tu dhënë përgjigjen më të mirë shqetësimeve të saj.

Më duhet të theksoj se në të gjithë këtë debat që zhvillohet koncesioni më madhor dhe i vërtetë është ky që ne bëjmë për hir të ardhjes së opozitës në Parlament.

Në qoftë se lexoni dokumentet ndërkombëtare, nuk ekziston as edhe një i vetëm që të mund të kërkojë që opozita të ketë shumicën në komisionet parlamentare. Jo, sepse kjo nuk i kërkohet kurrë një shumice të dalë nga një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm. Por këtë koncesion në interesin më të mirë të vendit e bën plotësisht mazhoranca jonë për ti dhënë opozitës të gjitha garancitë se do të mund të ushtrojë e plotë hetimin e saj, natyrisht, në respekt të Kushtetutës dhe vendimeve kryesore të Gjykatës Kushtetuese.

Dua të theksoj këtu se në të gjitha këto debate ka spikatur një vlerësim absolut i opozitës për gjykatën Kushtetuese, vlerësim që nuk ndahet për mazhorancën, por më vjen mirë që faktori ndërkombëtar përdor si referencë pikërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndaj se cilës opozita është shprehur besimplotë.

Kështu që edhe ky dokument duhet të them se shton shanset reale të suksesit të procesit të negociatave, për të cilin ne kemi ruajtur konfidencialitetin. Ky proces mund të jetë në konfidencialitet ose i hapur, zgjedhja është e atij që thërret tryezën dhe ne e respektojmë.

Pra,uroj dhe shpreh dëshirën time që kjo deklaratë solide, e cila përfshin plotësisht opozitën, qeverinë, zgjedhjet, Shqipërinë, jep një dokument frymëzues, në mënyrë që deputetët e opozitës më 4 mars të zënë vendet e tyre në dinjitet të plotë, aty për ku i kanë votuar qytetarët shqiptarë."


18/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›