KOK-u, peng i politikës
Vitin që po e lëmë pas, për federata sportive në vend nuk ishte edhe aq i mirë, pasi të gjitha morën përgjigje negative në përpjekjet e tyre për ndërkombëtarizim.
Në krahasim me federatat, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i cili për t’u ndërkombëtarizuar duhet të ketë të pranuar pesë federata, kohëve të fundit nuk është parë në aksion. Por kreu i institucionit më të lartë sportiv në vend, Besim Hasani këtë e arsyeton me çrregullimin e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës.
Sipas tij, ngërçi politik aktual i vendit po e dëmton shumë edhe sportin kosovar, i cili edhe ashtu është në gjendje të rëndë. Ai mendon se miratimi i Ligjit për sport është hapi i parë drejt përmirësimit të gjendjes së rëndë të sportit vendor.
Mirëpo, procesi i ndryshim-plotësimit të këtij ligji ka mbetur në gjysmë për shkak të situatës politike në vend. Në fakt, sipas Hasanit, deri më tani ky proces do të duhej të kishte përfunduar, por mosfunksionimi i institucioneve politike ka bërë që puna të mbetet në gjysmë.
“Ky ngërç politik po e dëmton rëndë edhe sportin. Rregullimi i Ligjit për sport i ka kaluar dy komisione. Tani ka mbetur ta kalojë Komisionin parlamentar, Qeverinë dhe të dërgohet për aprovim në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk po bëhet, sepse këto institucione, siç dihet, aktualisht nuk po funksionojnë”, deklaroi Hasani për Express.
Sipas tij, aprovimi i këtij ligji, KOK-un do ta bënte me buxhet të vetin financiar dhe nuk do të varet më nga Departamenti i Sportit i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.
“Buxhet të vetin KOK-u nuk ka. Ne deri më tani jemi financuar nëpërmjet projekteve, me vlerësim nga Departamenti i Sportit. Nëse kjo e fundit e ka parë të arsyeshme t’i financojë projektet, e ka bërë një gjë të tillë, por nëse nuk e ka parë të arsyeshme, nuk ka financuar”, shpjegoi ai.
Por çfarë do të bëjë KOK-u atëherë, kur do të bëhet me buxhet të vetin? “Gjysma e atij buxheti do të shfrytëzohet për lobim rreth ndërkombëtarizimit, kurse pjesa tjetër do të shfrytëzohet për përgatitjen e sportistëve kosovarë për Lojëra Olimpike. Sportistët duhet t’i bëjmë gati, edhe pse aktualisht nuk jemi të ndërkombëtarizuar, në mënyrë që kur ndërkombëtarizohemi të paraqitemi sa më mirë nëpër gara ndërkombëtare”, u përgjigj Hasani.
Sipas ndryshim-plotësimit të këtij ligji, do të bëhet edhe kategorizimi i sporteve dhe sportistëve. “Do të ketë bursa për fituesit e medaljeve në nivel të Kosovës. Do të jepen shpërblime për fituesit e medaljeve në nivelin ndërkombëtar dhe sportistëve të merituar të vendit do t’u garantohen pensione sportive. Se prej cilës moshë do t’i marrin pensionet, për këtë vendos Kuvendi i Kosovës”, shtoi ai.
Hasani propozon që Qeveria e Kosovës duhet t’u premtojë sportistëve kosovarë që do t’u jap 1 milion euro shpërblim, nëse ndonjë sportist kosovar fiton medalje të artë olimpike.
“Pse mos t’i jepen 1 milion euro fituesit eventual të medaljes së artë olimpike, kur atë do ta njohin mbi 4 miliardë njerëz. Nuk ka reklamë më e mirë për Kosovën sesa fituesi eventual i kësaj medaljeje”, pohoi Hasani.
“Kështu, fituesi i medaljes së artë olimpike dhe i atyre 1 milion eurove do të bëhej model për gjeneratat e reja, të cilat do të përpiqeshin ta ndjekin të njëjtën rrugë. Për gjeneratat e reja është më mirë të bëhet model një sportist, sesa një president, kryeministër apo ministra”, përfundoi Hasani.
Krahas ndryshim-plotësimit të Ligjit për sport, njëjtë qëndrojnë punët edhe me Ligjin për sponsorim, i cili mendohet se do ta ndihmonte përmirësimin e gjendjes së sportit kosovar.