Kastrati ka prezantuar punën njëvjeçare
Viti i parë i qeverisjes komunale mund të vlerësohet i suksesshëm përkundër vështirësive të ndryshme, ndërkohë që vitet e ardhshme do të jenë vite që do të ndryshojnë qytetin për të mirë, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati mbrëmë para gazetarëve me rastin e prezantimit të punës njëvjeçare të pushtetit lokal.
Sipas kryetarit Kastrati, Mitrovica me specifikat që jeton, ka bërë hapa përpara në konsolidimin e sigurisë që vazhdon të mbetet e brishtë.
Ai me këtë rast ka potencuar edhe disa nga investimet e shumta kapitale të realizuara dhe disa që presin për realizim, me të cilat qytetarët do të kenë kushte më të mira, shërbime dhe jetë më të mirë.
“Spitali rajonal tashmë është funskional në dy repartee, në atë të kirurgjisë dhe gjinekologjisë, ndërkohë që së shpejti do përfundojnë edhe repartet tjera”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se problem imediat mbetet kuadri.
Ai vuri në pah të arriturat gjatë këtij viti edhe në fushat tjera, si arsim, infrastrukturë, administratë, etj.
Kryetari Kastrati ka përmendur edhe disa prej pritjeve të parealizuara gjatë këtij viti, siç janë emblema e qytetit, rrethojat e UNMIK-ut dhe të OSBE-së, rrugën e papërfunduar për në fshatin Vllahi, etj.
“Megjithë punën, angazhimin dhe përpjekjet tona, qyteti ynë ende mbetet pa emblemë. Emblema nuk është as e kryetarit, e as e subjektit në pushtet, por e të gjithë qytetarëve, andaj pres që ajo të jetësohet shpejt”, tha Kastrati.
Ndërkaq, në lidhje me rrethojat, si problem ende të pazgjidhur, Kastrati është shprehur se më në fund, presioni komunal ka ndikuar që UNMIK-u në fillim të vitit 2011 të largohet nga ndërtesa.
Ai nënvizoi si prioritet ndërtimin e parkut botanik me donatorë nga komunat e vëllazëruara turke, projektin e fabrikës së riciklimit të mbeturinave nga një korporatë italo-gjermane , ndërtimin e fshatit të familjeve të dëshmorëve dhe realizimin e propozimit të mbulimit të varrimit për të gjithë qytetarët që nga komuna e Mitrovicës, etj.