KOKSH, KAS dhe debatet me FSHF-në

Asambleja e 26-të e Zakonshme e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, që u zhvillua të shtunën në mesditë në Tiranë, nuk i shpëtoi debateve. Më së shumti me të dërguarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Envi Hicka, i cili në pikat e audimit të viteve 2019, 2020 dhe 2021, apo dhe të rregullores së funksionimit të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv ka ngritur zërin e tij. E ka pranuar mungesën e pagesës së kuotizacionit si anëtar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, por për të nuk është pengesë për të diskutuar. E në këtë linjë të parë janë në të kundërt të njëri-tjetrit si Hicka, ashtu dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli
Envi Hicka: “Është e vërtetë se FSHF nuk i ka paguar kuotizacionit për një periudhë kohe, por këto janë rrethana administrative. Asambleja konfirmoi se nuk është në këtë status vetëm FSHF, një ditë ajo do i paguajë kuotizacionet”.
Fidel Ylli: “Me thënë të drejtën, si president i KOKSH u gëzova shumë kur pas një periudhe të gjatë ata vendosën të mernin pjesë dhe të njohin Komitetin Olimpik, se vetë akreditimi që kanë bërë është njohje. Personalisht, anëtari i Komitetit që ishte në Asamble, është dhe avokati im dhe personalisht, privatisht i kam thënë: të lutem, i thuaj Sekretarit të FSHF-së se ka disa dokumenta për të sjellë. Unë drejtoj një Asamble, por nuk vendos rregullat e saj”.
Por si mund të jetë një Këshill Arbitrazhi Sportiv i pavarur kur rregullorja miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar? Hicka dhe Ylli edhe në këtë pikë janë në mendime të kundërta, ndërsa shumë shpejt Këshilli i Arbitrazhit Sportiv do të jetë një gjykatë funksionale për problemet e sportit në vend.
Envi Hicka: “Ideja ka qënë gjithmonë që të meret një model i KAS të Lozanës dhe të adaptohet për sa është e mundur. Kjo gjë nuk është bërë me rregulloren aktuale. Email i ardhur në datën 23 maj është krejt i ndryshëm nga ai që ka ardhur së fundmi, si për ndryshimet në statut ashtu dhe për rregulloren KAS”.
Fidel Ylli: “KAS do të jetë totalisht i pavarur, sepse e kemi çertifikuar me ndërkombëtarët dhe na kanë thënë rrugën se si bëhet i pavarur. KAS duhet të ketë një seli nga Qeveria ose nga Ministria apo Bashkia se ku do ta ketë zyrën, që të mos jetë pranë KOKSH”.
Izmir Smajlaj është anëtari më i ri i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Por me shkarkimin e Genc Bogës dhe të Tatjana Marash, apo me dorëheqjen e Gjergji Rulit, si dhe të Endrit Hoxhës, që në fakt është zëvendëministër i Arsimit dhe Sportit, janë katër vend bosh. Një tjetër Asamble pritet të jetë e jashtëzakonshme në vazhdim për këto vende vakant.
Fidel Ylli: “Muajin korrik jemi të detyruar jo vetëm për propozimin e tre anëtarëve që do të krijojnë KAS. Janë tre nismëtarë që do e krijojnë, nuk kanë të drejtë të gjykojnë, vetëm do të krijojnë KAS. Kemi dhe vendet vakant, që shumë shpejt, në muajin korrik, duhet të plotësohen sepse KOKSH nuk mund të punojë me 6-7 anëtarë”.
Ndër pikat e tjera të Asamblesë ishin dhe miratimi i ndryshimeve në Statut, ratifikimi i projektit “Ekipeve Sportive 2022”, si dhe pranimi i anëtarëve të rinj, që në këtë rast ishin Shoqata Kombëtare e Padelit dhe Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira. Dhe në harkun kohor të një ore, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka mbyllur punimet.