E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – A ia mbylli vërtet Vuçiç derën BE-së?

BEOGRAD, 20 shkurt /ATSH/ – Vendimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të nënshkruar ndryshimet në ligjet për gjyqësorin, shkaktoi reagime të forta në Bashkimin Evropian dhe riktheu në qendër të debatit të ardhmen evropiane të Serbisë.

Ndërsa autoritetet në Beograd këmbëngulin se janë të përkushtuara ndaj integrimit, analistët paralajmërojnë se veprimet konkrete tregojnë një prirje të kundërt: forcimin e kontrollit politik mbi institucionet dhe dobësimin e standardeve demokratike.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012 dhe ka hapur disa kapituj negociatash.

Dragana Gjurica, sekretare e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi, thotë për programin Ura të Radios Evropa e Lirë se autoritetet serbe e kanë pritur reagimin negativ të BE-së, por kanë llogaritur se ai nuk do të ketë pasoja reale.

Sipas saj, përvoja e viteve të fundit ka krijuar bindjen se BE-ja reagon kryesisht me deklarata, por rrallë ndërmerr masa konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë, për shkak të rëndësisë së saj strategjike në rajon.

“Kjo është arsyeja përse nënshkrimi i ndryshimeve ligjore nga Vuçiçi nuk më duket si një llogaritje e gabuar, por më tepër si një rrezik i vetëdijshëm, me pritjen se zhurma do të qetësohet, siç ka ndodhur shumë herë më parë. Megjithatë, nuk besoj se pushteti do të shpëtojë tani pa pasoja”, thotë Gjurica.

Dobësimi i drejtësisë si prioritet politik

Sërgjan Cvijiq, kryetar i Bordit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, shkon edhe më tej në analizën e tij.

Ai argumenton se motivimi kryesor i këtyre ndryshimeve nuk është integrimi evropian, por mbijetesa politike e pushtetit.

Sipas tij, dobësimi i Prokurorisë për Krim të Organizuar mund të jetë një objektiv kyç për autoritetet, pasi hetimet ekzistuese mund të prekin edhe figura të afërta me pushtetin.

Ai shton se kjo është pjesë e një strategjie afatgjate: fillimisht miratohen ligje që dobësojnë institucionet e pavarura dhe më pas, nëse presioni ndërkombëtar bëhet shumë i fortë, ofrohen korrigjime të kufizuara, ndërsa kontrolli real mbetet i paprekur.

“Për Vuçiçin, rruga evropiane është e rëndësishme vetëm për të fituar legjitimitet ndërkombëtar dhe që Bashkimi Evropian të mbetet bankomati i tij. Kur bëhet fjalë për një zgjedhje midis qëndrimit në pushtet dhe standardeve evropiane, ai gjithmonë do të zgjedhë pushtetin”, thotë Cvijiq për Radion Evropa e Lirë (REL).

A ka ende ndikim BE-ja?

Një nga pyetjet kryesore është nëse BE-ja është e gatshme t’i përdorë instrumentet e saj për të ndikuar në kursin politik të Serbisë.

Sipas ekspertëve, BE-ja ka në dispozicion mjete të rëndësishme, përfshirë pezullimin e fondeve dhe ngadalësimin ose ndërprerjen e negociatave për anëtarësim.

“Nuk e di nëse Brukseli do të ketë sukses ta detyrojë pushtetin që t’i tërheqë ligjet kontroverse, por besoj se mund ta kërcënojë me ndërprerjen e mbështetjes financiare”, thotë Gjurica.

“Ndoshta Bashkimi Evropian do t’i mbyllte sytë ndaj Vuçiçit, nëse ai do t’i vendoste sanksione Rusisë [për shkak të pushtimit të Ukrainës], por ai nuk do ta bëjë këtë për dy arsye kryesore”, thotë Cvijiq.

A e ka gjyqësori forcën për t’i rezistuar zbatimit të ligjit?

“Shumë vështirë”, thotë Cvijiq.

“Regjimi, praktikisht, po u shpall luftë xhepave të pavarur të mbetur në gjyqësor, duke kombinuar ndryshimet ligjore, procedurat disiplinore, transferimin e të papërshtatshmëve dhe emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve besnikë”, sipas tij.

Për Cvijiqin, ky është një presion i vazhdueshëm politik dhe financiar.

“Pa mbështetje të fortë sociale dhe mbrojtje të qartë ndërkombëtare, gjyqësori do të jetë vazhdimisht i ekspozuar ndaj fragmentimit, frikësimit dhe presionit. Nëse mbetet i izoluar, do të shkatërrohet”, thotë Cvijiq.

Ai shpreh bindjen se Vuçiç nuk dëshiron që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, sepse “do që të mbetet në pushtet”.

Sipas tij, sundimi i vërtetë i ligjit do të hapte çështjen e përgjegjësisë politike dhe institucionale jo vetëm për individë të caktuar, por për gjithë sistemin e ndërtuar gjatë viteve të fundit.

A po e largon Vuçiç Serbinë nga rruga drejt BE-së?

Ekspertët janë të qartë: ligjet e reja për gjyqësorin, të cilat kanë nxitur reagime të ashpra nga Brukseli, kanë rritur ndjeshëm barrierat për integrimin evropian të Serbisë.

“Vuçiç ka kohë që ia ka mbyllur derën BE-së për ata që duan ta shohin këtë”, thotë Cvijiq.

Gjurica ndan vlerësim të ngjashëm.

“Edhe nëse dera nuk është mbyllur plotësisht, ajo, padyshim, është afruar”, përfundon Gjurica, sekretare e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›