KIEV – Zelensky: Jemi gati për kompromise të vërteta, jo ultimatume nga rusët

KIEV, 20 shkurt /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka folur për negociatat me Rusinë mbi një zgjidhje të mundshme për t’i dhënë fund luftës.
Ndërsa ekziston një skepticizëm i përhapur nëse Vladimir Putin ka ndonjë qëllim të vërtetë për të arritur një marrëveshje, presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij ishte gati për kompromise të vërteta.
Megjithatë, ai i tha gazetës japoneze “Kyodo News” se Kievi kishte refuzuar të pranonte ultimatume nga Rusia.
Zelensky konfirmoi raportet se Ukraina kishte ofruar të ngrinte linjat aktuale të konfliktit si pjesë të çdo marrëveshjeje.
“Ata morën pothuajse 20% të territorit tonë dhe ne jemi gati të flasim për paqen në këtë moment. Ky është një kompromis i madh. Çfarë na ofron Rusia si kompromis? Çfarë janë ata të gatshëm të bëjnë? Ne jemi gati për kompromise të vërteta. Por, jo për kompromise me koston e pavarësisë dhe sovranitetit tonë. Ne jemi të gatshëm të flasim për kompromise me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, jo të marrim ultimatume nga rusët vazhdimisht. Ata janë agresorët. Të gjithë e kanë pranuar këtë”, theksoi Zelensky.
Më 18 shkurt, përfundoi raundi i tretë i bisedimeve në Gjenevë midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte shprehur optimizëm për bisedimet që zgjatën rreth dy orë, si pala ruse ashtu edhe ajo ukrainase treguan se ato kishin qenë “të vështira”.
Moska dhe Kievi mbeten në mosmarrëveshje për çështjet territoriale dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm në konfliktin 4-vjeçar.
Rusia ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit lindor të Ukrainës, i përbërë nga rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Kievi e ka refuzuar prej kohësh këtë kërkesë, pasi për të kjo do të përbënte heqje dorë nga territori sovran ukrainas.
Një tjetër pikë ngërçi në bisedime është statusi i centralit bërthamor të Zaporizhias. Centrali – më i madhi në Evropë – ndodhet në vijën e frontit dhe ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022. //a.i/