KOMENT – Aleatët e Kievit mblidhen në një moment unik për sigurinë e Evropës

LONDËR, 2 mars ATSH-AFP/ – Evropa po kalon një moment unik për sigurinë e saj, deklaroi sot kryeministri britanik, Starmer, teksa hapi një takim vendimtar të rreth 15 aleatëve të Ukrainës në prani të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, dy ditë pas debatit të tij të ashpër me Donald Trump.
”Liderët evropianë po përballen me një moment unik për sigurinë e Evropës”, tha Keir Starmer.
Ky samit synon të gjejë garanci të reja sigurie në Evropë përballë frikës së braktisjes nga Uashingtoni, e theksuar pas përplasjes së së premtes mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.
Ai bashkon rreth 15 aleatë evropianë të Kievit, duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe i paraprin një samiti të jashtëzakonshëm evropian për Ukrainën të planifikuar për të enjten në Bruksel.
Disa orë para hapjes së samitit, Keir Starmer njoftoi se po punonte me Francën për “një plan për të ndaluar luftimet” midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Ne kemi rënë dakord që Mbretëria e Bashkuar, me Francën dhe ndoshta një ose dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën për një plan për të ndalur luftimet dhe më pas do ta diskutojmë atë plan me Shtetet e Bashkuara”, tha ai për BBC.
Sipas Londrës, e cila nënshkroi një marrëveshje kredie prej 2,26 miliardë paund (rreth 2,74 miliardë euro) të shtunën për të mbështetur aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, diskutimet në këtë samit do të fokusohen në “mbështetje të vazhdueshme ushtarake” për Kievin dhe “rritje të presionit ekonomik ndaj Rusisë”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili po merr pjesë në samit, tha në X se “të gjithë në Evropë do të duhet të japin më shumë” për të mbështetur Ukrainën.
Pjesëmarrësit pritet gjithashtu të diskutojnë “nevojen që Evropa të luajë rolin e saj në mbrojtje” dhe “hapat e ardhshëm në planifikimin e garancive të forta të sigurisë” në kontinent, përballë rrezikut të tërheqjes së ushtrisë amerikane dhe ombrellës bërthamore.
Ukraina dhe Evropa po ndjekin me shqetësim të thellë Donald Trumpin dhe afrimin me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Giorgia Meloni u takua me Volodymyr Zelenskyn në kuadër të samitit.
“Takimi riafirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe popullin e saj, si dhe angazhimin, me partnerët evropianë, perëndimorë dhe Shtetet e Bashkuara, për të ndërtuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, duke garantuar një të ardhme sovraniteti, sigurie dhe lirie për Ukrainën”, theksoi qeveria italiane.
Kryeministrja italiane tha gjithashtu se ishte “shumë e rëndësishme të shmanget” “ndarja” e Perëndimit dhe siguroi se Italia dhe Mbretëria e Bashkuar mund të “ndërtojnë ura” me Uashingtonin.
Në të njëjtën linjë vazhdoi edhe homologu i saj polak, Donald Tusk, duke thënë se Varshava mund të përdorë “marrëdhëniet e saj shumë të mira me amerikanët” për t’i bindur ata që t’i japin më shumë mbështetje Ukrainës.
Moska, e cila mirëpret ndryshimin rrënjësor në politikën amerikane, dhe Uashingtoni kanë nisur, pa ftuar Ukrainën apo evropianët, negociatat për t’i dhënë fund luftës, për të cilat presidenti amerikan refuzon ta konsiderojë Moskën përgjegjëse.
Frika evropiane është shtuar më tej nga sherri publik në Zyrën Ovale mes Zelenskyt, Trumpit dhe nënpresidenti i SHBA JD Vance, të premten.
Për disa minuta, Trump e kritikoi Zelenskyn se “u vu në një pozitë shumë të keqe” dhe e urdhëroi atë të bënte paqe me Rusinë, duke e kërcënuar “bëni një marrëveshje ose do t’ju refuzojmë”, përpara se ta dëbonte atë nga Shtëpia e Bardhë.
“Një epokë e re turpërimi ka filluar (…) në të cilën ne duhet të mbrojmë më shumë se kurrë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe forcën e ligjit kundër ligjit të më të fortëve”, reagoi ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të shtunën.
“Është bërë e qartë se bota e lirë ka nevojë për një lider të ri. Na takon ne, evropianëve, ta përballojmë këtë sfidë”, kishte kërkuar një ditë më parë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Ndërkohë, në një intervistë me disa gazeta franceze, Macron tha se shpresonte që vendet e Bashkimit Evropian do të lëviznin shpejt drejt “financimit masiv dhe të përbashkët” që përfaqëson “qindra miliarda euro” për të ndërtuar një mbrojtje të përbashkët.
“Unë besoj se sot është koha për një zgjim strategjik, sepse në të gjitha vendet ka një shqetësim, një pasiguri për mbështetjen amerikane në afat të gjatë”, theksoi ai./ a.jor.