E Enjte, 5 Nëntor 2026

KOMENT – Anëtarësimi i Ukrainës në NATO pjesë e “planit të fitores”

NJU JORK, 24 shtator /ATSH-DPA/- Një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n është pjesë e “planit të fitores” së presidentit Volodymyr Zelensky për Kievin, të cilin ai po ua parashtron aleatëve gjatë qëndrimit në Nju Jork, tha sot kreu i zyrës së presidentit, Andriy Yermak.

Yermak tha gjatë një paneli diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së – se aleatët e Kievit duhet të shpërfillnin kërcënimet e Rusisë për përshkallëzim – në rast se Ukraina i bashkohej NATO-s.

Udhëheqësit e vendeve të NATO-s deklaruan gjatë një samiti në Uashington në fillim të këtij viti – se Ukraina ishte në një “rrugë të pakthyeshme” drejt anëtarësimit – ndërsa shtuan se ende duhej të plotësoheshin kushtet për të patur një ftesë zyrtare.

Zelensky ka planifikuar të paraqesë sot “planin e tij të fitores” – i cili përmban komponentë ushtarakë dhe diplomatikë, përfshirë negociatat me Rusinë – personalisht te presidenti amerikan Joe Biden në Uashington.

Detaje konkrete të planit nuk janë publikuar ende, por ai gjithashtu pritet të përfshijë kërkesën e Zelensky që Kievit të lejohet të përdorë raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi në objektivat brenda Rusisë.

Ndërsa ka indikacione se SHBA-ja mund të ndryshojë qëndrimin e saj, Gjermania ka këmbëngulur se armët e saj nuk mund të përdoreshin për qëllime të tilla.

Moska tha sot se po i qëndron synimeve të saj të luftës në Ukrainë, pavarësisht nga vazhdimi i dukshëm i negociatave të Kievit.

“Sapo këto qëllime të jenë arritur në një mënyrë ose në një tjetër, operacioni ushtarak special do të përfundojë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Rusia ka paraqitur disa objektiva për pushtimin e saj, duke përfshirë parandalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe kapjen dhe pushtimin total të rajoneve lindore të Ukrainës si Donetskun, Luhanskun, Zaporizhian dhe Khersonin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›