E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Hungaria dhe Ukraina fillojnë bisedimet për të drejtat e pakicës hungareze pas disa vitesh tensionesh

BUDAPEST, 18 maj /ATSH/-Hungaria dhe Ukraina do të nisin konsultime të nivelit të lartë për të drejtat e pakicës etnike hungareze në Ukrainë, njoftuan sot ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, në një sinjal të hershëm se marrëdhëniet e tensionuara mes Budapestit dhe Kievit mund të përmirësohen nën qeverinë e re hungareze, raportoi AP.

Marrëdhëniet dypalëshe ishin përkeqësuar prej vitesh nën qeverinë pro-ruse të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, e cila refuzonte të ofronte ndihmë financiare apo ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj ndaj pushtimit të plotë rus.

Orban, i cili humbi zgjedhjet parlamentare në prill, e kishte justifikuar një pjesë të politikave të tij kundër Ukrainës me pretendimin se autoritetet ukrainase kishin kufizuar të drejtat gjuhësore dhe arsimore të rreth 100 mijë hungarezëve etnikë, që jetojnë në rajonin e Zakarpatias.

Në vitin 2017, Ukraina miratoi një ligj që e bënte gjuhën ukrainase të detyrueshme për mësim pas klasës së pestë, një masë që synonte kufizimin e ndikimit rus, por që preku edhe pakicat rumune, bullgare dhe hungareze.

Ministrja e re e Jashtme e Hungarisë, Anita Orban, deklaroi në platformën X se konsultimet në nivel ekspertësh për zgjidhjen e çështjeve, që lidhen me të drejtat e pakicës hungareze do të nisin këtë javë.

Sipas saj, këto bisedime do të krijojnë “një bazë të rëndësishme për zgjidhjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të çështjeve të pakicave”, duke shtuar se pret që dialogu të jetë konstruktiv dhe të sjellë përparim konkret për komunitetin hungarez në Ukrainë.

Ky zhvillim shihet si një sinjal i parë i përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat kishin arritur nivele historikisht të ulëta gjatë qeverisjes së Orban.

Administrata e tij kishte bllokuar fonde kyçe të Bashkimit Evropian për Ukrainën, kishte penguar sanksionet ndaj Rusisë dhe kishte kërcënuar të frenonte përpjekjet e Kievit për anëtarësim në bllok.

Pas fitores së partisë së qendrës së djathtë “Tisza” dhe liderit të saj, kryeministri Peter Magyar ka rritur shpresat për një qasje më konstruktive të Hungarisë ndaj Ukrainës.

Javën e kaluar, ministria e re e Jashtme e Hungarisë, thirri ambasadorin rus për sulmin masiv me dronë në Zakarpatia, një veprim që konsiderohej i paimagjinueshëm gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orban.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë veprim si një mesazh të rëndësishëm dhe falënderoi qeverinë e re hungareze për reagimin e saj.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha deklaroi se qeveria e tij është e gatshme të hapë pa vonesë një kapitull të ri, me përfitim të ndërsjellë, në marrëdhëniet ukraino-hungareze, me synim rivendosjen e besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›