ITALI – Piantedosi: Sulmi në Modena ngre shqetësime për integrimin mes debatit për emigracionin

ROMË, 18 maj /ATSH/- Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi deklaroi sot se sulmi me makinë dhe me thikë në qytetin verior të Modenas – nuk mund të shihet si një akt i izoluar, duke paralajmëruar se ngjarja nxjerr në pah sfida më të thella lidhur me integrimin dhe vështirësitë sociale, raportoi AP.
Megjithëse përjashtoi pistën e terrorizmit, Piantedosi theksoi se hetuesit duhetj të shqyrtonin plotësisht faktorët që qëndronin pas sulmit.
Tetë persona u plagosën, katër prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, kur një 31-vjeçar – shtetas italian me origjinë marokene – përplasi të shtunën me makinë këmbësorët, përpara se të përplasej me vitrinën e një dyqani në qytetin e Modenas.
Autoritetet italiane thanë se i dyshuari, i identifikuar si Salim El Koudri, u përpoq të largohej dhe plagosi lehtë një kalimtar me thikë përpara se të neutralizohej nga kalimtarët dhe të arrestohej nga policia.
Prokuroria e akuzon për vepra të rënda penale, përfshirë “masakër” dhe “plagosje të rëndë”. Një vendim gjykate mbi konfirmimin e paraburgimit pritet të jepet sot pasdite.
Në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Giornale”, Matteo Piantedosi tha se i dyshuari nuk konsiderohet terrorist, por nënvizoi atë që e përshkroi si “një problem serioz të shqetësimit social dhe shëndetit mendor”.
“Në këtë fazë nuk ka elemente që përputhen me profilin klasik të një terroristi që planifikon sulme të dhunshme. Por kjo nuk duhet të na nxisë, ta konsiderojmë sulmin si vepër të një të çmenduri të izoluar”, tha Piantedosi.
Ai e cilësoi sulmin ndaj civilëve si “me gravitet absolut”, duke ngritur pyetje mbi integrimin, identitetin dhe margjinalizimin, veçanërisht te disa persona me prejardhje të huaj të gjeneratës së dytë.
Sipas autoriteteve lokale, i dyshuari, i lindur në Itali dhe me arsim universitar, kishte një diagnozë të çrregullimit të personalitetit dhe kishte shfaqur pakënaqësi për gjendjen e tij në punë dhe shoqëri.
Piantedosi përmendi gjithashtu një e-mail që El Koudri i kishte dërguar universitetit, me gjuhë fyese ndaj të krishterëve, për të cilin më vonë ishte penduar, duke sugjeruar një mundësi pakënaqësie të lidhur me diskriminimin e perceptuar.
“Mund të jetë nxitur nga një ndjenjë pakënaqësie e lidhur me perceptimin e diskriminimit,” tha Piantedosi., duke theksuar se hetimet po vijojnë.
Debati mbi emigracionin
Ngjarja ka ndezur debat politik në Itali, ku kufizimi i migracionit është pjesë kyçe e agjendës së krahut të djathtë të kryeministres, Giorgia Meloni.
Megjithatë, Piantedosi u përpoq të bënte dallimin mes sulmit dhe politikave të migracionit, duke theksuar se i dyshuari është shtetas italian.
“Ne po punojmë për riatdhesimin e shtetasve të huaj që kryejnë krime, por këtu kemi të bëjmë me një shtetas italian”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini e quajti të dyshuarin “kriminel i gjeneratës së dytë”, duke rindezur thirrjet për masa më të ashpra migracioni, ndërsa ministri i Jashtëm Antonio Tajani kundërshtoi këtë etiketim, duke theksuar se ai është shtetas italian dhe jo një emigrant.
Ngjarja ka ringjallur gjithashtu debatin mbi të ashtuquajturit “italianë të gjeneratës së dytë” — persona të lindur ose rritur në Itali nga prindër të huaj — të cilët shpesh përballen me sfida të identitetit dhe integrimit.
Autoritetet njoftuan se një grua mbetet në gjendje kritike, ndërsa viktimat e tjera kanë pësuar gjithashtu plagë të rënda.//a.i/