E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – Macron mbledh në Paris liderët për të diskutuar ndihmën për Ukrainën dhe Forcën e Armatosur Evropiane

PARIS, 27 mars /ATSH/- Aleatët e Ukrainës nga e gjithë Evropa u mblodhën për bisedime sot në Paris për të diskutuar ndihmën për Kievin dhe ushtrinë e saj, ndërsa po bëhen përpjekje për një armëpushim me Rusinë dhe për të shqyrtuar propozimet për dislokimin e trupave evropiane në vend, sipas AP.

Presidenti francez, Emmanuel Macron po pret liderët e afro 30 vendeve dhe shefat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Samiti vjen në një moment vendimtar në luftën më shumë se 3-vjeçare, mes përpjekjeve diplomatike në rritje për të ndërmjetësuar armëpushimin, të nxitura nga presioni i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftimeve.

Por, konflikti po vazhdon. Sulmet me dronë rusë gjatë natës para takimit të liderëve në pallatin presidencial francez plagosën më shumë se 20 persona, sipas zyrtarëve ukrainas.

Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, këtë javë për të mbrojtur transportin në Detin e Zi dhe për të ndalur sulmet me rreze të gjatë në infrastrukturën e energjisë u përshëndetën si hapi i parë drejt paqes.

Por, Ukraina dhe Rusia nuk kanë rënë dakord mbi detajet dhe kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve, duke paralajmëruar për një proces të gjatë dhe të diskutueshëm përpara.

Evropa shqyrton dislokimin e forcave avropiane

Franca dhe Britania e Madhe po nxisin një iniciativë të veçantë për të ndërtuar një koalicion kombesh të gatshëm – në një mënyrë ose në një tjetër – për të mbështetur dislokimin e një force të armatosur evropiane në Ukrainë – me synimin për të siguruar çdo marrëveshje paqeje – duke e bindur Rusinë që të sulmojë sërish vendin.

Ndërtimi i një force mjaft të madhe për të vepruar si një pengesë e besueshme – zyrtarët britanikë kanë folur për ndoshta 10,000 deri në 30,000 trupa – do të ishte gjithashtu një përpjekje e konsiderueshme për vendet që tkurrën ushtritë e tyre pas Luftës së Ftohtë, por që tani po riarmatosen.

Do të ngrihen gjithashtu pyetje se kush do të komandonte forcën dhe si mund t’i përgjigjej një shkeljeje të madhe nga Rusia të çdo marrëveshjeje paqeje.

Zyra e kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili po drejton nismën evropiane së bashku me Macron, tha se planifikuesit ushtarakë nga Evropa dhe më gjerë janë duke diskutuar në detaje se si mund të bashkohet një forcë e tillë, duke shqyrtuar gamën e plotë të aftësive ushtarake evropiane duke përfshirë avionët, tanket, trupat, inteligjencën dhe logjistikën.

Një test për Evropën

Përballë presionit të vazhdueshëm të Trump për të rritur shpenzimet ushtarake dhe për t’u mbështetur më pak në forcat amerikane, që daton që nga presidenca e tij e parë, kontingjenti i propozuar shihet gjithashtu si një provë e aftësisë së Evropës për të mbrojtur veten dhe interesat e saj.

Macron tha dje se forca e propozuar evropiane mund të vendosej në qytete të rëndësishme, baza strategjike në Ukrainë dhe se mund t’i “përgjigjej” një sulmi rus nëse Moska e niste një të tillë.

Presidenti francez nuk specifikoi se çfarë lloj përgjigje parashikonte. Por ai sugjeroi se një sulm rus mund të mos mbetej pa përgjigje, edhe pse trupat evropiane nuk do të dislokoheshin në vijën e frontit.

“Nëse do të kishte sërish një agresion të përgjithësuar kundër tokës ukrainase, këto ushtri në fakt do të ishin nën sulm dhe atëherë është korniza jonë e zakonshme e angazhimit”, tha Macron. “Ushtarët tanë, kur angazhohen dhe dislokohen, janë aty për të reaguar dhe për t’iu përgjigjur vendimeve të komandantit të përgjithshëm dhe nëse janë në situatë konflikti, për t’iu përgjigjur.

Më shumë ndihmë dhe më shumë sulme

Ndërsa përpjekjet për armëpushimin po rriten, aleatët e Ukrainës në Evropë po punojnë për të forcuar ushtarakisht Kievin.

Synimi i tyre është t’i mundësojnë Ukrainës të vazhdojë të luftojë derisa të arrihet një paqe e gjerë dhe gjithashtu ta kthejnë ushtrinë ukrainase në vijën e parë të mbrojtjes kundër çdo agresioni të ardhshëm rus.

Macron njoftoi një paketë të re të mbrojtjes për Ukrainën me vlerë 2 miliardë euro (2,15 miliardë dollarë) që do të përfshinte tanke, mbrojtje ajrore dhe raketa antitank dhe armë të tjera.

“Sulmet me dronë rusë gjatë natës plagosën të paktën 18 persona në rajonin e Kharkivit dhe tre persona në Dnipro”, thanë zyrtarët.

“Bombardimet në një komunitet të vijës së parë në rajonin e Zaporizhias, shkatërruan energjinë elektrike dhe mbulimin e rrjetit telefonik”, tha kreu rajonal Ivan Fedorov në Telegram.

Zelensky tha se sulmet ishin dëshmi e mëtejshme se SHBA-ja dhe Evropa nuk duhej të lehtësonin sanksionet ndaj Moskës.

“Rusia po vret çdo ditë dhe po e zgjat këtë luftë”, tha Zelensky në media sociale.

“Propozimi amerikan për një armëpushim të pakushtëzuar është në tavolinën e bisedimeve”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›