KOMENT – Përse bordi i NYT i bën thirrje Biden-it të tërhiqet nga gara presidenciale?

NJU JORK, 29 qershor /ATSH/ – Bordi redaktues i gazetës ”New York Times” i bën thirrje presidentit Joe Biden të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas performancës së tij në debatin presidencial, shkruan BBC.
“Presidenti të enjten mbrëma u shfaq si ”hija” e një zyrtari të madh publik. Ai u përpoq të shpjegonte se çfarë do të arrinte në një mandat të dytë. Ai luftoi për t’iu përgjigjur provokimeve të Trumpit. Ai luftoi për ta mbajtur Trumpin përgjegjës për gënjeshtrat e tij, dështimet dhe planet e tij rrëqethëse. Më shumë se një herë ai u përpoq me shumë mundim të arrinte në fund të një fjalie,” shkroi bordi në një artikull.
“Shërbimi më i madh publik që Biden mund të kryejë tani është të shpallë se nuk do të vazhdojë të kandidojë për rizgjedhje. Sipas nesh presidenti është i përfshirë në një ndeshje bixhozi të pamenduar. Ka liderë demokratë të pajisur më mirë për të paraqitur alternativa të qarta, bindëse dhe të fuqishme ndaj një presidence të dytë të Trump. Nuk ka asnjë arsye pse partia demokratike duhet të rrezikojë stabilitetin dhe sigurinë e vendit duke i detyruar votuesit të zgjedhin midis mangësive të Trump dhe Bidenit. Është një lojë shumë e madhe për të shpresuar thjesht se amerikanët do të anashkalojnë ose injorojnë moshën e Bidenit dhe dobësitë që ata shohin me sytë e tyre”, shkroi bordi në deklaratën e tij.
Bordi vazhdoi të thoshte se do të mbështeste akoma Biden si “zgjedhjen e qartë” nëse zgjedhja mbetet midis tij dhe ish-presidentit Donald Trump.
Fushata e Bidenit iu përgjigj kritikave editoriale të premten në mbrëmje.
“Herën e fundit që Joe Biden humbi miratimin e bordit redaktues të ”New York Times”, ai ia doli shumë mirë”, tha për CNN bashkë-kryetari i fushatës së Biden, Cedric Richmond.
”New York Times” ka preferuar në vend të Bidenit dy kandidatë demokratë presidencialë në 2020: senatorët Amy Klobuchar dhe Elizabeth Warren.
Bashkëkryetari i fushatës së Biden, Mitch Landrieu deklaroi se ”ai ka 100% besim te Joe Biden”, duke shtuar se do të jetë “vetëm vendimi i tij nëse ai do të vazhdojë”.
New York Times është e fundit që kritikon performancën e debatit të Biden, e cila ka dhënë alarmin midis demokratëve kryesorë, duke i lënë disa të pyesin hapur nëse Biden mund të mbetet ende në krye të demokratëve. /os/