E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – Rusia mund të pranojë të përdorë asetet e ngrira në Evropë si pjesë e zgjidhjes së luftës në Ukrainë

MOSKË, 21 shkurt /ATSH/- Rusia mund të pranojë të përdorë 300 miliardë dollarë të aseteve sovrane të ngrira në Evropë për rindërtimin në Ukrainë, por do të insistojë që një pjesë e parave të shpenzohen në një të pestën e vendit që kontrollojnë forcat e Moskës, sipas “Reuters”.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë për përfundimin e luftës në Ukrainë më 18 shkurt në Arabinë Saudite dhe të dy – presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë thënë se shpresojnë të takohen së shpejti.

Pasi Putini dërgoi trupa në Ukrainë në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me bankën qendrore të Rusisë dhe Ministrinë e Financave – duke bllokuar 300-350 miliardë dollarë asete sovrane ruse – kryesisht obligacione të qeverisë evropiane, amerikane dhe britanike të mbajtura në një depozitë evropiane të letrave me vlerë.

Ndërsa diskutimet midis Rusisë dhe SHBA-së janë në një fazë shumë të hershme – një ide që po përhapet në Moskë është se Rusia mund të propozojë përdorimin e një pjese të madhe të aseteve të ngrira për rindërtimin e Ukrainës – si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, sipas disa burimeve.

Një pjesë e madhe e Ukrainës lindore është shkatërruar nga lufta dhe qindra mijëra ushtarë janë vrarë ose plagosur nga të dyja palët – ndërsa miliona ukrainas kanë ikur në vendet evropiane ose Rusi.

Një vit më parë, Banka Botërore vlerësoi se rindërtimi dhe rimëkëmbja do të kushtonte 486 miliardë dollarë.

Ideja se Rusia mund të pranojë të përdorë paratë e ngrira për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, nuk është raportuar më parë dhe mund të japë një pasqyrë të asaj që Rusia është e gatshme të bëjë kompromis – ndërsa Moska dhe Uashingtoni kërkojnë t’i japin fund luftës – në një kohë kur Trump po bën presion për aksesin e SHBA-së në mineralet e Ukrainës për të shlyer mbështetjen e Uashingtonit.

Kërkesat kryesore të Rusisë për të ndaluar luftimet përfshijnë tërheqjen e trupave të Kievit nga territori ukrainas që Moska pretendon – dhe një fund të ambicieve të Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.

Ukraina tha se Rusia duhet të tërhiqet nga territori i saj dhe kërkon garanci sigurie nga Perëndimi.

Administrata Trump tha se Ukraina ka synime joreale dhe “iluzionare”.

Burimet e “Reuters” nuk mund të përcaktojnë nëse ideja e përdorimit të fondeve të ngrira është diskutuar mes homologëve të Rusisë dhe SHBA-së në takimin në Riad.

G7 deklaroi në vitin 2023 se fondet sovrane ruse do të mbeteshin të ngrira derisa Rusia të paguante për dëmin që kishte shkaktuar në Ukrainë.

Trump tha se do të dëshironte që Rusia të kthehej në G7.

Guvernatorja e Bankës Qendrore Ruse, Elvira Nabiullina tha dje se banka nuk ishte pjesë e asnjë bisede për heqjen e sanksioneve ose shkrirjen e aseteve të Rusisë.

Rusia tha më herët se planet për të përdorur fondet në Ukrainë përbënin një grabitje.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Ministria e Jashtme britanike nuk pranoi të komentonte.

“Asgjë për Ukrainën dhe BE-në nuk mund të vendoset pa Ukrainën dhe BE-në”, tha Anitta Hipper, një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Ajo tha se BE-ja dhe vendet anëtare po ndihmonin Ukrainën të forconte pozicionin e saj përpara çdo bisedimi, duke përfshirë raundin e ri të sanksioneve ndaj Rusisë.

Analisti kryesor i “Renaissance Capital”, Oleg Kouzmin tha se mosmarrëveshjet midis SHBA-së dhe Evropës, e cila kontrollon shumicën e aseteve, do të komplikonin heqjen e ngrirjes së aseteve ruse.

“Për këtë do të duhej që pala evropiane të mbështesë plotësisht qëndrimin aktual të SHBA-së që synon dialogun me Rusinë”, tha Kouzmin, duke e quajtur një skenar të tillë “shumë optimist”.  //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›