STOKHOLM – Suedia heton sabotimin e mundshëm pas dëmtimit të kabllove në Baltik

KOPENHAGË, 21 shkurt /ATSH-DPA/- Policia suedeze po heton një sabotim të mundshëm pasi një dëmtim i ri në një kabllo të dhënash në shtratin e detit Baltik u zbulua për herë të tretë – në pak më shumë se tre muaj, thanë sot autoritetet.
“Dëmi ishte i vogël këtë herë dhe nuk ndikoi në lidhjet e komunikimit që funksionojnë përmes kabllos së prekur “C-Lion1″ – dhe trafiku i të dhënave po funksionon normalisht”, tha operatori “Cinia”.
Policia suedeze ka nisur një hetim pasi incidenti i fundit ndodhi në zonën ekskluzive ekonomike të Suedisë pranë ishullit Gotland.
Policia tha se qëllimi i hetimit është të përcaktojë se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe kur ka ndodhur dëmi. “Aktualisht nuk ka asnjë të dyshuar”, thanë ata.
Autoritetet finlandeze kanë nisur gjithashtu një hetim penal, duke njoftuar se dëmtimi i kabllove ishte zbuluar që të mërkurën.
Incidentet që përfshijnë dëmtimin e kabllove të komunikimit dhe linjave të energjisë në Detin Baltik kanë ndodhur vazhdimisht gjatë muajve të fundit, me disa raste nën hetim për sabotim të mundshëm.
Zyrtarët në rajon dyshojnë se anijet kanë prerë kabllot duke tërhequr zvarrë spirancën e tyre, ndoshta qëllimisht.
Rusia dyshohet se është fajtore për dëmtimin e kabllove të shkaktuara në dhjetor, duke përdorur të ashtuquajturën “flotë hije” për të shmangur sanksionet perëndimore të vendosura në përgjigje të pushtimit të Ukrainës. //a.i/