E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GJERMANI – Baerbock: Evropianët duhet të rrisin presionin ndaj SHBA-së

POTSDAM, 21 shkurt /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha sot se ajo beson se aleatët evropianë duhet të bëjnë më shumë presion mbi administratën e presidentit amerikan Donald Trump për të shmangur humbjen e Uashingtonit si partner, përfshirë në bisedimet për luftën në Ukrainë.

“Ne po rrisim presionin ndaj amerikanëve – për të treguar se ata kanë shumë për të humbur nëse nuk qëndrojnë më pranë demokracive liberale të Evropës”, tha Baerbock gjatë një aktiviteti të fushatës zgjedhore, në Potsdam.

“Tre vjet më parë, kur Rusia pushtoi për herë të parë Ukrainën, qeveria gjermane kishte shpallur një “pikë kthese”, tha ajo, duke iu referuar një fjalimi të kancelarit Olaf Scholz që premtonte më shumë shpenzime për mbrojtjen.

“Tani ne kemi nevojë për një pikë të dytë kthese, jo më ankth dhe lëkundje për paqen tonë”, tha ajo.

Politikanja e të Gjelbërve dha alarmin për bisedimet e reja dypalëshe midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – të nisura në fillim të kësaj jave – mes frikës se Ukraina mund të detyrohet të bëjë lëshime “të dhimbshme” në një marrëveshje armëpushimi.

“Një paqe e rreme – domethënë një paqe që nuk është paqe, por shantazh ose dorëzim nuk është paqe, por e kundërta – një përgatitje e mëtejshme për më shumë luftë dhe dhunë”, tha Baerbock.

“Kjo është arsyeja pse unë do të mbështes Ukrainën për aq kohë sa ajo ka nevojë, sepse ajo është paqja jonë”, tha ajo.

“Askush nuk mund të vendosë për luftën dhe paqen mbi kokat e ukrainasve apo të europianëve – dhe ky është qëndrimi i qartë gjerman”, tha kryediplomatja gjermane.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›