KPA shkarkon nga detyra gjyqtaren Anita Mici

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtaren Anita Mici. Vendimi u mor këtë të enjte nga trupi gjykues i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Ina Rama.
KPA hodhi poshtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që konfirmoi në detyrë Micin, duke e konsideruar atë të pabazuar në fakte dhe në ligj.
Anita Mici u konfirmua në detyrë nga KPK më 4 gusht 2020, pasi u vlerësua se ajo kishte arritur të provonte pretendimet e saj për gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit. Emri i gjyqtares është përmendur jo pak për shkak të vendimit të saj për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, por sipas KPK kjo ishte një çështje që i përket Gjykatës së Lartë dhe ILD-së.
Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK, ndërsa me vendimin e KPA, Anita Mici është tashmë jashtë sistemit gjyqësor në vend.
/rtsh.al/