E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prangoset në Emiratet e Bashkuara Arabe, Amar Shkëmbi. Akuzohet për atentatin ndaj prokurorit, Arjan Ndoj

Merr fund arratia e Amar Shkëmbit, i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj. Ai ishte një person i shumëkërkuar nga policia shqiptare, jo vetëm për ngjarjen në fjalë, por dhe se bënte pjesë në një grup të struktuar kriminal.

Shkëmbi është prangosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, vend i cili duket se është kthyer në një “ishull” për shumë personazhe të botës së krimit në Shqipëri. Arrestimi i Shkëmbit, nga ana tjetër, bën të qartë se asnjë person që i shmanget drejtësië shqiptare, duke u fshehur në këtë vend, nuk është më i sigurtë.

Arrestimi

Sipas policisë, falë operacioneve policore ndërkombëtare të njëpasnjëshme, dhe si rezultat i inteligjencës policore dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, është finalizuar operacioni policor i koduar, “Abu Dhabi”, ku falë një bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Interpol Abu Dhabi, në koordinim edhe nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, është prangosur në Emiratet e Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 39-vjeçari i Amar Shkëmbi, i shumëkërkuar, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.  

“Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve përmes inteligjencës informative, me qëllim lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për kapjen dhe arrestimin e këtyre personave, me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, kanë shkëmbyer informacione për një shtetas shumë të kërkuar nga SPAK-u, i cili ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit, homologët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Abu Dhabi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit: A.(D.) Sh., 39 vjeç.”- njofton policia.

Sipas njoftimit, GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”.

Ngjarja

Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Arjan Ndoj., me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Prokurori Ndoja, ditën e ngjarjes, ishte në automjet me një person me precedentë penalë, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, si dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.     

Nisur nga ky arrestim, Policia e Shtetit bën të ditur se është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjithë partnerët, për të bërë të mundur kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, kudo ku ata tentojnë të largohen për t’iu fshehur drejtësisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›