E Enjte, 5 Nëntor 2026

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Sonjela Voskopi

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë gjyqtaren Sonjela Voskopi, e cila ushtron veprimtarinë e saj në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë.

Sipas njoftimit të KPK, vendimi është marrë me shumicë votash nga nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, Olsi Komici relator, Valbona Sanxhaktari anëtare.

Gjyqtarja Voskopi dha shpjegime mbi tre kriteret e rivlerësimit: të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, në seancën dëgjimore të 28 majit 2024.

“Vendimi, i arsyetuar me shkrim, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve. Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit”, njofton KPK.

Sonjela Voskopi e ka filluar detyrën si gjyqtare në Korçë në vitin 2007, ku dhe vijon ta ushtrojë këtë funksion.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›