KQZ: Deri në 13:00 kanë votuar 35.24%. MB: Sulmet mbi policinë, antishtet
Tiranë- Në daljen e rradhës Kimisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 13.00 kanë votuar 35,24% e shqiptarëve.
Zëdhënësja Drilona Hoxhaj bëri me dije se sipas të dhënave të KQZ-së, informacionet janë deri në orën 13:00 për Qarkun e Tiranës dhe të Gjirokastrës ndërsa të dhënat për qarqet e tjera janë deri në orën 10:00 të ditës së sotme.
Sipas KQZ-së në Qarkun Tiranë nga 785.086 votues me të drejtë vote deri në orën 13:00 kanë votuar 5.546 votues ose 34,97%.
Sakaq në Qarkun e Gjirokastrës nga 122.039 votues me të drejtë vote deri në orën 13:00 kanë votuar 9.290 votues ose 35,41%.
KQZ-ja njoftoi vonesat rreth hapjes së qendrave të votimit, problemet e para dhe pjesëmarrjen në votime sipas ZAZ-ve.
Tre qendra votimi në Dukagjin janë hapur me vonesë. Në fshatin Mollas në ZAZ-në numër 46 mungonin fletët e votimit dhe për pasojë procesi ka nisur me vonesë. Në 5 qendra votimi në Laç janë ndërprerë në orën 8.30 minuta,- tha ajo.
Pjesëmarrja në votim:
ZAZ 23, 22.2%
ZAZ 50, 6.38%
ZAZ 13, 21.52%
ZAZ 4, 19.75 %
ZAZ 29, 17.28%
ZAZ 33, 18.93%
ZAZ 85, 11.32%
Burgaj: Policia në krye të detyrës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, ja incidentet zyrtare
Ndërkohë mesditën e së dielës Policia e Shtetit në njoftimin e fundit përsëri qëndrimin se është në krye të detyrës.
Gjatë këtij harku kohor janë evidentuar disa vepra penale për të cilat strukturat e policisë kanë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore e procedurale, duke marrë dhe masa të menjëhershme për identifikimin e kapjen e autorëve të tyre,-tha zëdhënësi Sulejmani.
Në Qarkun e Elbasanit
Rreth orës 11.00 është marrë informacioni se në një qendër Votimi në qytetin e Peqinit është goditur me mjete të forta nga tre shtetas anëtari i Komisionit i kësaj qendre votimit, si dhe i kanë marrë kartën e identitetit bashkëshortes së tij. Menjëherë nga ana e policisë u shkua në vendin e ngjarjes, ku u bë i mundur identifikimi i personave, si dhe sekuestrimi në cilësinë provës materiale i mjetit me targa TR 5515 K, me të cilin këta shtetas qarkullonin në qytetin e Peqinit. Tre personat e identifikuar janë:
Gazmend Sinani, drejtuesi i mjetit tip Mitsubishi
- Astrit Kashi
- Aleksander Bajo, që të tre banues në Elbasan.
Këta shtetas janë shoqëruar dhe aktualisht për rastin në fjalë po kryhen veprimet procedurale. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar mjetit u gjeten dhe u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale 2 arme zjarri tip automatike, 1 shotgan, si dhe një sasi municionesh.
Në Qarkun Korçë
1. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pajtim Selman Myrtollari, vjeç 51 nga Korça. Ky shtetas ditën e djeshme, rreth orës 23.10 në vendin e quajtur Ura e Fajancës është kapur në flagrancë me automjetin tip benz KO 8013, me 11 zarfa me nga 5000 lekë të reja, të cilat dyshohet se do u ndaheshin personave të ndryshëm për të votur për Subjektin Politik LSI , ku ky i fundit ishte dhe Koordinator i këtij subjekti. Po lidhur me këtë rast filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal për 2 shtetas të tjerë. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve të parashikuar nga neni 328 i K.Penal.
2. Ndërkohë po në Korçë filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasve Shkëlqim Belul Topa, punonjës i Komunës Libonik dhe Naveljan Shkëlqim Topa, përkatësisht 45 dhe 20 vjeç, pasi akuzohen se rreth orës 22.00 të ditës së djeshme, në Libonik, për shkak të bindjeve partiake kanë goditur me sende të forta shtetasit Armando Pëllumb Cenolli e Maksi Njazi Cenolli, edhe këto banues në fshatin Libonik. Ndaj tyre u kryen veprimet procedurale e materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje të kryer në bashkëpunim.
3. Rreth orës 10.30, në qytetin e Korçës, në lagjen nr.4, përballë shkollës 9- vjecare Nuci Naci, ka patur një grindje mes shtetasve Edmond Poreci dhe shtetasit Leonard Mitre për motive ende të pasqaruara. Për ndërprerjen e këtij konflikti ka ndërhyrë për ti ndarë kandidati për deputet i partisë socialiste shtetasi Ilirjan Pendavinji, i cili në momentin që po ulte konfliktin është goditur në fytyrë me grushta nga shtetasi Edmond Poreci. Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore dhe po punohet për kapjen e autorit. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçe për veprime të mëtejshme për veprën penale dëmtime të tjera me dashje të parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.
Në qarkun Tiranë
1. Mbrëmë rreth orës 23.30 në ambientet e një lokali në në rrugën Pandi Dardha, është plagosur me armë zjarri shtetasi Ardi Rrahman Kacnija, 38 vjec, me banim në Tiranë, si dhe janë goditur me mjete të forta 2 shtetas. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht për identifikimin, kapjen e autorëve të këtij konflikti, si dhe dokumentimin ligjor të saj.
2. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Tafil Hysen Daci, vjeç 35, banues në Kamzë, pasi rreth orës 01.45, në Zall Mner nga kontrolli në mjetin tip Benz me targë AA 738 BH, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje.
3. Ndërkohë nga Komisariati i Policisë Kavajë filloi procedimi penal e punohet për kapjen e shtetasit Emiljano Vullnet Leka, vjeç 29, banues në Kavajë, pasi rreth orës 22.00, në qytet, gjatë kontrollit të mjetit tip Skoda me targë AA 312 GM, të cilin ky shtetas e braktisi për ti shpëtuar kapjes nga forcat e policisë, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik si dhe një sasi prej rreth 300 fishekësh, të cilat i mbante pa leje, po ashtu iu gjet dhe sekuestrua një tabelë e Policisë Bashkiake.
MB: Sulmet e opozitës, të papranueshme
Ndërkohë Ministria e Brendshme përmes një deklarate i ka vlerësuar të papranueshme sulmet e opozitës ndaj policisë.
Uniformat blu kanë qenë dhe janë të vendosura në mbrojtje të ligjit, rendit dhe sigurisë publike dhe të angazhuara 24 orë në 24 për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Policia e Shtetit po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Laç dhe për çdo ngjarje tjetër,- thuhet në deklaratën e MB-së.
“Sulmet ndaj uniformave blu në ditën e zgjedhjeve janë një tentativë e qartë për të prishur procesin zgjedhor dhe çdo insinuatë në këtë drejtim është një veprim antishtet. Ju bëjmë thirrje forcave politike të distancohen nga çdo formë e presionit ndaj Policisë së Shtetit dhe të lejojnë organet e drejtësisë të zbardhin ngjarjen e Laçit, të lejojnë qytetarët të shprehin lirshëm vullnetin e tyre,- përfundon deklarata.