E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Ekspertët kontabël të mos bien krushqi me politikanët

02-05-2013 / Gazeta 55

Zgjedhjet/ Auditimi i parave të partive

Financat e shpenzuara nga partitë do të auditohen nga ekspertë që do të përzgjidhen me short, ku kriter parësor do të jetë përveç përgatitjes, asnjë marrëdhënie krushqie deri në brezin e katërt me drejtues partish. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar dje me një apel ekspertëve kontabël të licencuar që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së për auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2012 nga partitë politike. “Kjo ftesë u bëhet në zbatim nenit 23/2 të ligjit nr. 8580, ‘Për Partitë Politike’, i ndryshuar, me qëllim zhvillimin e procedurës për caktimin me short të ekspertëve kontabël të licencuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partitë politike”, theksoi Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ.
Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabël të Autorizuar, (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet të plotësojnë edhe këto kritere: Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licencuar në 5 vitet e fundit; Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël; Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit; Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse; Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit. Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2012 nga partitë politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas publikimit të këtij njoftimi edhe në median e shkruar e ripërsërit këtë ftesë të interesuarit, që të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 15. 05. 2013, dokumentacionin.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›