Falimentimi i ‘farmacisë ruse’ në Ballkan
Nëse Serbia, në rastin e Kosovës dhe Maqedonia, në raport me Greqinë, nuk mundën të gjejnë tek ‘farmacitë’ politike e ushtarake të Moskës ilaçin adekuat të shërimit nga kompleksi i mbetjes pa ‘vëllain e madh’, atëherë na duken të kota simulimet në Shkup për sëmundje që lehtësisht mund të shërohen me receta të Brukselit.
Animoziteti publik maqedonas kundrejt brukselit: Ka kohë që shtypi dhe qarqet qeveritare në Shkup tek Perëndimi shohin avokatin e djallit kur janë në pyetje raportet me Greqinë dhe sidomos ‘theqafjet’ disavjeçare rreth zgjidhjes së kontestit të emrit. Animoziteti publik maqedonas kundrejt Brukselit, i intonuar përmes disa kolumnistëve proqeveritar dhe ideologëve të partisë maqedonase në pushtet, në thelb përmban trajektoren e qëndrimeve dhe sensibiliteteve të një populli të vogël ndaj sfidave e të papriturave të kohës. Shenjat e qarta të euroskepticizmit që përshkojnë këtë animozitet, nuk mund të shpjegohen lehtë pa një ‘shëtitje’ të shkurtër në axhendën e ditëve të fundit të kryeministrit Gruevski por edhe në kolonat e shtypit, ku tejdukshëm nxjerr krye përpjekja për të risjellë në vëmendjen e publikut shanset e humbura të integrimit në strukturat euro-atlantike, përmes efekteve të kompensimit.
Dy janë portat që shënojnë dalje për këtë frustrim publik maqedonas: aleanca ekonomike dhe ajo ushtarake me vendet e Azisë, Amerikës Latine dhe vetë Rusinë. Vizita e këtyre ditëve e një delegacioni të madh qeveritar (pa asnjë përfaqësues shqiptarë), në krye me kryeministrin Gruevski, në disa shtete të Amerikës Latine, nga analistë proqeveritarë po shikohet si alternativë ekonomike e zhvillimore e Shkupit zyrtar për të gjetur tregje të reja dhe investues të rinj, të cilët, sipas tyre, gjoja do të kompensonin dhe rikuperonin efektet e pasojave rrënuese të ekonomive brenda Eurozonës. Një shtet i vogël e tepër i papërfillshëm në përmasa planetare, po shfaqet në sytë e publikut të këtushëm si një gurë peshoreje që do të rivendoste balancat e humbura në mes të Lindjes dhe Perëndimit.
Maqedonia, si Anglia (!): Refuzimi disavjeçar për të tejkaluar kontestin me Greqinë rreth emrit, ka kohë që në Shkup nuk shikohet si mungesë gjeturie e koniukturave politike maqedonase, por si ‘diversion’ dhe ‘tradhti’ e Perëndimit kundrejt ‘çështjes maqedonase’. Në listën e ‘tradhtarëve’ Perëndimor është futur edhe Ali Ahmeti i cili po kërkon përshpejtim të procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Me sy jo të mirë shikohet edhe vizita e paralajmëruar e tij në SHBA, sidomos axhenda e tij për të takuar zyrtarë të lartë amerikanë me të cilët do të bisedohet edhe rreth problemeve dhe vonesave sa i përket gjetjes së zgjidhjeve të kontestit me Greqinë. Në rebusin e kësaj retorike anti-perëndimore zënë vend, jo rrallë, edhe përplasjet brendaeuropiane, sidomos disa qëndrime të forta të Britanisë së Madhe kundrejt politikave ekonomike e financiare të BE-së, duke u përdorur nga Shkupi këto përplasje si argumente kontestimi dhe alibi shfajësimi ndaj disa nismave të Brukselit për tejkalimin e pengesave që ka Maqedonia në raport me fqinjët. Të rrok stomaku nga ky nivelizim paushall i interesave të Shkupit dhe Londrës kur janë në pyetje kundërshtitë ndaj politikave të caktuara të Brukselit, paçka se Londra, për dallim nga Shkupi, krejtësisht e rrënjësisht me një kandar tjetër i peshon dhe sprovon muskujt e saj në garë me burokratët e Brukselit. Semantika e analogjisë, për proguvern-grafologët entuziast në Shkup, këtu hyn në punë vetëm sa për të dëshmuar se, edhe një Angli e pasur, ngjashëm si Maqedonia e varfër (por ‘djep i civilizimit’) ka qëndrime identike sa i përket disa politikave, gjoja, joparimore të Brukselit, aty ku Shkupi zyrtar gjen fajtorin kujdestar për gabimet e bëra në oborr të vetin.
Leximi i keq i modeleve gjeostrategjike: “Nëse nuk na duan në Bruksel, të hedhim sytë nga Lindja”, është ky lajtmotivi i një thirrje në kontinuitet i disa megafonëve proqeveritar në Shkup, të cilët haptazi propagandojnë aleanca ekonomike e ushtarake me vendet e Azisë dhe Rusinë. Shtypi maqedonas, ditë më parë, transmetoi me brohoritje ekzaltuese lajmin për përfshirjen, si vëzhguese, e Serbisë në të ashtuquajturën CSTO – një Organizatë për Siguri Kolektive, e kryesuar nga Rusia, në të cilën anëtarësojnë edhe Bjellorusia, Armenia, Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani, me një interes në rritje edhe të Iranit për të qenë pjesë e kësaj organizate ushtarake, që ishte ideuar qysh në themelim, në vitin 2002, në Tashkent, si pandan i NATO-s.
Kërkimi i një modeli, si Serbia, që po kërkon rrugë alternative për siguri kolektive ushtarake, është sinjal i keq që e bën Shkupin, jo vetëm lojtarin me dy fytyra por edhe partnerin pa fytyrë të Perëndimit, tek i cili Maqedonia në periudhat më dramatike të krizave rajonale kishte mbështetje, siguri dhe partneritet të sinqertë. Leximi i keq i këtyre modeleve, krijon për opinionin publik iluzione të rrejshme për një aleancë sllave, e cila në një të ardhme po rivendoska balancat e humbura në Ballkan dhe po rikthyeka drejtësinë e munguar në favor të popujve të dëmtuar, si maqedonasit, të cilët gjatë historisë paskan pësuar tkurrje territoriale e etnike.
Se mbështetja te “nana Rusi” nuk paraqet më kurrfarë modeli për aleanca të mundshme rajonale politike, ekonomike e ushtarake, dëshmon ngrirja e vodkës ruse në gurmazin e politikanëve të ekzaltuar të Beogradit, të cilët nuk arritën ta shndërrojnë në dolli të përbashkët serbo-ruse marrëveshjen e arritur në Bruksel me përfaqësuesit legjitim të Kosovës. Marrëveshjen e Brukselit Moska zyrtare e kishte konsideruar edhe si fiasko të diplomacisë së saj sepse kishte qenë vetë ajo që kishte ushqyer mitin serb për mosdorëzim e Kosovës, në njërën anë, kurse në anën tjetër kishte qenë pikërisht Kosova argumenti kryesor rus për krijimin e aleancave anti-perëndimore, rreth së cilave do të grumbulloheshin disa shtete sllave dhe aziatike me prirje dhe synime identike për rikthimin e influencave dhe balancave historike në këtë pjesë të Ballkanit.
Në Shkup, gjithashtu nuk është lexuar drejt edhe përpjekja e Moskës për të intensifikuar luftën diplomatike me mjete të huazuara nga zhonglerizmi ekonomiko-energjetik. Dominimin e saj rajonal, Rusia ka kohë që po mundohet ta shprehë në forma të sofistikuara, duke i konkurruar Perëndimit me projekte, që janë jetësisht të lidhura me vendet e Ballkanit. Projekti rus i tubacionit të gazit natyror ”Rryma Jugore”, tashmë po shikohet si alternativë e korridorit të tetë që parashihte të lidhte shtetet e rajonit nga Deti i Zi e deri në Adriatik. Anashkalimi i viseve shqiptare nga ky projekt rus është mesazh i qartë i Moskës për një ndarje të re gjeopolitike në rajon. Por, ajo që hë për hë ia prish planet Moskës është afrimi i Serbisë me BE-në pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, ndonëse që nga futja e NATO-s në Kosovë (1999), ombrella ruse filloi ta lëshojë ujin. Serbia me shekuj ishte ushqyer me mitin për Rusinë, si mbrojtëse e vlerave pansllaviste e ortodokse në Ballkan, madje edhe atëherë kur politika ruse kundrejt Ballkanit kishte ndryshuar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, kur edhe fillon të zbehet ylli i pansllavizmit në Serbi. Resurset me gaz natyror që po përdoren aktualisht nga Moska, si alibi për të vendosur njëfarë balance në mes të joshjes eurointegruese të Perëndimit dhe varshmërisë energjetike nga Rusia, është peshorja në të cilën edhe Maqedonia edhe Serbia do të duhej t’i masin prioritetet e tyre gjeostrategjike. Shikuar nga këndvështrimi maqedonas, interesimi rus nuk ka shkuar përtej ndonjë piknik-vizite kurtoazie të diplomatëve rus në Shkup a Ohër dhe asnjë vizitë e këtyre diplomatëve nuk është përcjellë nga kujdesi i Moskës zyrtare për të ndihmuar Maqedonisë, fjala bie, në tejkalimin e kontestit me Greqinë rreth emrit, edhe përkundër faktit se raportet greko-ruse kanë qenë gjithmonë të nivelit të kënaqshëm. Nëse Serbia, në rastin e Kosovës dhe Maqedonia, në raport me Greqinë, nuk mundën të gjejnë tek ‘farmacitë’ politike e ushtarake të Moskës ilaçin adekuat të shërimit nga kompleksi i mbetjes pa ‘vëllain e madh’, atëherë na duken të kota simulimet në Shkup për sëmundje që lehtësisht mund të shërohen me receta të Brukselit.
Marrë nga portali “gazetaexpress.com”