E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Hetimi për Lezhën dhe Shkodrën, për transparencë

27-07-2013 / Gazeta 55

U shqyrtuan 41 ankimime të bëra nga partitë politike
 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar në përmbyllje të shqyrtimeve administrative se rinumërimi  për qarkun e Lezhës dhe atë të Shkodrës është bërë në përputhje me dispozitat e kodit zgjedhor, dhe mbi provat gjetura  gjatë hetimit administrativ për këto dy zona zgjedhore.  “Mbi bazën e provave të administruara gjatë hetimit administrativ për këto 2 zona zgjedhore, shërbeu për KQZ, si indicie për thellimin e hetimit administrativ.
KQZ, në këto dy raste, duke mos u kufizuar vetëm në objektin e kërkimit të paraqitur nga ankuesit, përdori autoritetin e plotë që i jep Kodi Zgjedhor për të adresuar ligjërisht, bazuar në përcaktimet e nenit 124 pika 6, në mënyrën më korrekte të mundshme, dhe me transparencën maksimale problemet e evidentuara, për të mos shmangur deformimin vullnetit qoftë dhe të një zgjedhësi”- u shpreh zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha. Zëdhënësja e këtij institucioni sqaroi se pas hetimit administrativ nga kutitë e hapura në të dy qarqet, atë Shkodër e Lezhë u konstatuan deformime të rezultateve zgjedhore.
“Mbi bazën e provave, ky proces i këqyrjes së kutive të votimit për këto dy qarqe, dëshmoi parregullsi në plotësimin e tabelave të rezultateve zgjedhore nga grupet e numërimit. U provua se rezultati zgjedhor kishte deformime të rënda në Zonën Zgjedhore Lezhë, ku rasti nga më flagrantët ishte manipulimi në rezultatet e 10 QV për të cilat, anëtarët e KZAZ-së 13 depozituan pranë KQZ-së tabela jo origjinale të rezultatit por të falsifikuara, të cilat për më tepër ishin të korrigjuara duke fshirë të dhënat për rezultatin e disa subjekteve zgjedhore. Edhe për Zonën Zgjedhore Shkodër rezultuan ndryshime të numrit të votave për disa subjekte zgjedhore, por pa ndikime në ndarjen e mandateve për këtë qark siç pretendonte subjekti ankues”, deklaroi ajo. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thellimi i këtyre dy procedurave hetimore administrative dha jo vetëm impakt persa i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar. “Shprehim bindjen se ky rol aktiv i KQZ-së do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për çdo komisionar që në mënyrë joligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë!”, vlerësoi Zëdhënësja e KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi 41 ankimime të bëra nga partitë politike me objekt kundërshtimin e vendimeve të komisionit për miratimin e tabelave të rezultateve të zonave zgjedhore. 33 prej këtyre ankimimeve u rrëzuan.
Pranohet kërkesa e LSI, Kolegji Zgjedhor vendos rinumërimin e 15 kutive të votimit të Kukësit/Kolegji Zgjedhor vendosi dje rinumërimin e 15 kutive sa i takon Qarkut të Kukësit, ku LSI pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti i fituar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.  Në bazë të vendimit rinumërimi i votave do të bëhet nga Gjykata e Apelit dhe jo në KQZ. Kolegjit Zgjedhor kryesuar nga Valbon Çekrezi i janë dashur më shumë se 3 orë për të arritur në këtë vendim, pasi administroi provat e paraqitura nga ekspertët, Ardian Pollo (LSI) dhe Zamir Hoxha (PD)  Sa i takon kutive të votimit, ato duhet të dorëzohen brenda datës 27 gusht në Gjykatën e Apelit.  Më herët Kolegji Zgjedhor mori në shqyrtim mesditën e djeshme kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Kukësit, duke dëgjuar dy ekspertët për ekspertizën për pamjet filmike gjatë procesit në numërimit të votave në 15 kuti. Si provë më të fortë, LSI paraqiti pamjet filmike të 15 qendrave të votimit në qarkun e Kukësit, ku tregohej mospërputhja e numrit të votave me rezultatin e tabelave përmbledhëse. Eksperti i LSI-së, Ardian Pollo deklaroi para anëtarëve të Kolegjit se nga pamjet filmime dallohet qartë për kë është votuar pasi 3 sekondat që fleta e votimit qëndron në monitor e vërteton këtë fakt qartë. Ndërkohë, ai është kundërshtuar nga eksperti i PD-së, Zamir Hoxha i cili tha se në pamje filmime nuk dallohet numri i Qendrës së Votimit, ndaj pretendimi i LSI bie. LSI pretendon se ka prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandat në këtë qark. Nga ana tjetër LSI pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit. Fillimisht u fol për një ndarje mandatesh dy me dy mes koalicionit të djathtë dhe atij të majtë. KQZ më pas korrigjoi tabelat dhe e ndryshoi rezultatit 3 me 1 në favor të Partisë Demokratike. Në fund të fundit do të jetë rinumërimi nga ana e Kolegjit Zgjedhor që të caktojë ndryshimin në tabelën e rezultateve apo do lejë në fuqi vendimin e KQZ.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›