Kreu i PD, Lulzim Basha: “Rama, me ndryshimin e INSTAT po fsheh dështimin e premtimeve piramidale të 23 qershorit”
Kryetari i ri i opozitës ka komentuar edhe përpjekjet për stimulimin e një debati të brendshëm, duke e cilësuar PD-në, si një parti të lirisë së shprehjes së mendimit, ku çdokush thotë atë që mendon
-- Kryetari i PD, Lulzim Basha garanton se do të qëndrojë fuqishëm, në mbrojtje të çdo institucioni, sikundër do të demaskojë pa reshtur çdo përpjekje të mazhorancës së re, për të manipuluar dhe fshehur mosmbajtjen e premtimeve të 23 qershorit. Kreu i PD-së i cilësoi deklaratat e kryesocialistit për INSTAT si dëshmi të mendësisë së vjetër antishtet. Komenteve kritike ndaj tij për zgjedhjen në krye të PD, Basha iu përgjigj se, “në Partinë Demokratike çdokush thotë atë që mendon”, porse sfidë e tij mbetet mbrojtja e interesave të qytetarëve nga mazhoranca problematike e mashtrimit të 23 qershorit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka konsideruar ndryshimin e funksionimit të INSTAT, paralajmëruar nga kryesocialisti Edi Rama, tentativë për të manipuluar të vërtetën dhe fshehur dështimin e premtimeve piramidale të 23 qershorit. Zoti Basha ka garantuar se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm, në mbrojtje të çdo institucioni, sikundër do të demaskojë pa reshtur çdo përpjekje të mazhorancës së re, për të manipuluar dhe fshehur mosmbajtjen e premtimeve të 23 qershorit.
“Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit, edhe njëherë dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet, anti-institucione. Ky është një propozim, për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është Instituti i Statistikave, zë të cilin opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka leverdisur. Nuk kemi të bëjmë vetëm me qëndrim me dy standarde por kemi të bëjmë me një projekt të rrezikshëm anti -shtet, zhdukja e një zëri të besueshëm siç është INSTAT, me qëllim për të manipuluar të vërtetën dhe fshehjen e dështimeve të pritshme dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale të 23 qershorit.
Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo institucioni, do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të INSTAT-it si një institucion i zërit të besueshëm dhe i të vërtetës dhe në çdo rast do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës dhe nxjerrjen e saj para shqiptarëve ashtu siç është, demaskimin e çdo përpjekjeje për ta manipuluar atë akoma pa u instaluar në pushtet, si një përpjekje për të manipuluar vetë kontratën e 23 qershorit që po faktohet dita ditës si një kontratë mashtrimi, karshi qytetarëve shqiptarë” – theksoi z. Basha.
Si kryetar i PD, zoti Basha ka theksuar se është detyrë e tij dhe e çdo drejtuesi dhe anëtari të PD-së, të angazhohet maksimalisht, për një përballje të fortë me sfidat që i presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD dhe çdo qytetar, karshi mazhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit. Basha iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve në lidhje me deklaratat e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. “Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre, zërin e tyre, është detyra ime por edhe e gjithkujt prej nesh të angazhohemi maksimalisht për një përballje të fortë, të vendosur e të pandarë, me sfidat që na presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD dhe nëpërmjet PD, për shpresat dhe aspiratat e çdo qytetari shqiptar karshi mazhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit” - u shpreh Basha.