KQZ: Masa ndaj njësive vendore që nuk respektojnë afatet për listat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi të enjten mbledhjen e radhës me shqetësimin e përfaqësuesit të Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, për vonesat e njësive të qeverisjes vendore në publikimin e listës së zgjedhësve.
Gjonçaj iu referua kodit zgjedhor, sipas të cilit, jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve zyrat e Gjendjes Civile printojnë dhe publikojnë ekstraktin e listave zgjedhore. Nisur nga dita e dekretimit (3 dhjetor) kjo procedurë duhet të kishte përfunduar tashmë që më 3 janar.
Po ashtu, ligji i detyron njësitë vendore të njoftojnë KQZ-në për caktimin e qendrave të votimit. Ndërsa Komisioni Zgjedhor, tha Gjonçaj, duhet të kishte përfunduar që më 15 janar vendimin për ngritjen e qendrave të votimit në ambiente private.
Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, iu bashkua shqetësimit të Gjonçajt, duke theksuar se Komisioni është në fazën e krijimit të një datebase për qendrat e votimit. “Problematika qëndron tek materialet që na vijnë me mungesa dhe paqartësi nga njësitë vendore. Jo më vonë se sot ose nesër do të bëjmë njoftimet tona për shtyp dhe do të marrim masa ndaj atyre njësive vendore që nuk i kanë sjellë në kohën e duhur dhe sipas ligjit listat zgjedhore”, theksoi kryetarja e KQZ, Lefteri Lleshi.
Në këtë punë, vijoi ajo, ne nuk jemi vetëm pasi bashkëpunojmë me Ministrinë e Brendshme, me të cilën rakordojmë korrespondencën me qeverisjen vendore.
Ndërkohë, KQZ po vijon mbledhjen me rendin e ditës, ku po shqyrtohen raportet e auditëve teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe proçesin e hartimit të listave, deri më datën 3 shkurt 2013.