E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, Moisiu: Zgjedhjet në rrezik. Apel Nishanit: Vë dorë, ke rolin e arbitrit

moisiuVlorë- Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, që janë vlerësuar një test shumë i rëndësishëm për politikën dhe institucionet shqiptare nga ndërkombëtarët, këtyre zërave i është bashkuar me një apel shumë të qartë edhe ish-presidenti zoti Alfred Moisiu.

Zoti Moisiu ka theksuar se situata e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve po vë në rrezik zgjedhjet.

“Komisionin Qëndror e parashikon ligji me 7 anëtarë. Me 4 anëtarë jo vetëm që është i çalë, por bëhet i pabesueshëm. Pavarësisht se thuhet që  këto do kompesohen në Kolegjin Zgjedhor, kjo nuk është e drejtë në asnjë mënyrë  sepse në fund të fundit KQZ është një organ administrativ, ndërsa Kolegji Zgjedhor është organ gjyqësor. Pra nuk mundet që një vendim që duhet ta bëjë organi administrativ të shkojë ta bëjë gjyqësori”- tha Moisiu teksa theksoi se Kolegji Zgjedhor nuk mund të kryejë detyra që i takojnë një organi administrativ.

Sipas tij fushata elektorale është tepër e ashpër ndërsa i bëri një kërkesë të qartë presidentit Bujar Nishani që të ndërhyjë.

“Unë i kam bërë një ftesë mjaft miqësore që duhet të vërë dorë, se për fat të keq politikanët nuk po meren dot vesh.  Do sdo, duhet të hyjë në rolin e arbitrit. Zgjedhjet kanë të bëjnë me unitetin e popullit, unitetin e kombit dhe presidenti nga ana e kushtetutës, përgjigjet për unitetin e popullit”- tha Moisiu.

“Jam pesimist për të gjendjen ku ndodhemi. Nevojitet ndërhyrja e kryetarit të shtetit, i cili duhet të bëjë arbitrin me politikanët”, u shpreh Moisiu, i cili komentoi nga Vlora situatën parazgjedhore në vend.

Moisiu i kërkoi gjithashtu elektoratit shqiptar që ti kërkojë llogari politikanëve për ato që kanë bërë për popullin.

“Politikanët tanë janë materialistë, ata duan ta mbajnë pushtetin me çdo kusht. Por pushtetin ta jep populli, ta jep vota e tij dhe nuk mund të merret me dhunë”,- u shpreh Moisiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›