E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Partitë të sigurojnë pjesëmarrjen në trajnime të komisionerëve të QV-ve

TIRANË -Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit (KQV), të bëjnë të mundur pjesëmarrjen e komisionerëve në trajnime, pasi kjo i shërben zhvillimit të procesit zgjedhor të 23 qershorit dhe mirëmenaxhimit të detyrave në QV.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha se referuar detyrimeve të parashikuara në kodin zgjedhor, KQZ zhvillon kurse trajnime me anëtarët e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta e të treta.

"Në këtë kuadër, KQZ, duke filluar nga data 13 qershor, po zhvillon trajnimin e komisionerëve të QV-ve, dhe konstaton me shqetësim se pjesëmarrja në këtë trajnim nuk ka qenë e plotë. Pavarësisht njoftimeve publike dhe angazhimit të KQZ-së për të siguruar mbarëvajtjen e këtij trajnimi të rëndësishëm, një numër i konsiderueshëm i komisionerëve të propozuar nga partitë politike PD, PS, LSI dhe PR nuk kanë marrë pjesë", tha zëdhënësja.

Sipas KQZ-së, në qarkun e Beratit dhe të Dibrës, pjesëmarrja në trajnime ka qënë në masën 50 %, ndërsa më e ulët kjo pjesëmarrje është në qarqet e Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës e Lezhës.

KQZ bën me dije se mospjesëmarrja e komisionerëve në trajnime përbën shkak për shkarkimin e tyre nga detyra e komisionerit të QV-së nga KZAZ-ja përkatëse.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›