E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Berisha e Rama duan të mashtrojnë qytetarët me dhëmbë të vënë e makijazh si gratë

TIRANE –I ftuar në emisionin “Koha për tu zgjuar” të gazetarit Bashkim Hoxha në “News 24”, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu akuzoi liderët e partive të mëdha se po mashtrojnë qytetarët. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Aleancën Kuq e Zi më 23 qershor.

Pyetja e parë që u kemi bërë të gjithëve që kanë ardhur në emision është, si po ju shkon fushata?
Më keq s’bëhet. Është një fushatë që vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Në Shqipëri zgjedhjet nuk janë as të lira, as të ndershme, as të barabarta. Sepse afro 2 milionë shqiptarë që janë emigrantë jashtë Shqipërisë iu është hequr e drejta e votës. Berisha dhe Rama, PD dhe PS për 23 vite nuk i bënë zgjedhjet e lira, sepse gjysmës së popullit me ligjin elektoral i hoqën të drejtën e votës. Zgjedhjet nuk janë të lira, të ndershme e të barabarta, sepse Durrësi, Tirana që mund të jenë nga qytetet më varfra në Europë, sot në mënyrë tragjike dhe komike zhvillon një nga fushatat më luksoze në gjithë Europën dhe botën. Mjafton të dilni rrugëve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, nuk ka nevojë për pemë se hije të bëjnë flamujt e partive bardh e blu apo flamujt lejla të PS-së. A e dini sa është numri i flamujve të PD-së dhe PS-së. Socialistët kanë blerë 4.5 milionë flamuj, demokratë kanë blerë 4 milionë flamuj. A e dini sa është çmimi i një flamuri, është 3 euro. A e dini sa kushtojnë spotet televizive. Një 30 sekondësh spot që po ta nxjerrësh vetëm njëherë në emisione televizive kushton 1 mijë euro. Imagjinoni sa e pa barabartë është kjo luftë politike. Unë do të kërkoja publikisht që Shqipëria të mos jetë vendi i fundit në financimin e fushatave elektorale. PD dhe PS të bëjnë publike vetëm një detaj, sa kanë kushtuar flamujt në Kinë. Në Kinë nuk ka më lecka se kanë ardhur si flamuj. Këta nuk kanë të drejtë të na zënë frymën apo diellin me flamuj. Nuk dinë ku ti çojnë paratë. Para me thes, para në vendin më të varfër të Europës. Aleanca Kuq e Zi është e vetmja parti politike që në autostrada, në rrugë, nuk i është lejuar asnjë hapësirë për të vendosur logon. AK fytyrën e kryetarit të vet Spahiu nuk e ka në asnjë billboard, në asnjë banderolë. Shikojini portretet re tyre, nga Rama, Berisha, që na kanë mbushur me kokat e tyre autostradat, kanë ndryshuar duke vënë dhëmbë të reja, bëjnë makijazh si gratë, duke u trukuar që të gënjejnë njerëzit me surretërit e tyre. Ky popull nuk mund të mashtrohet vetëm se Rama dhe Berisha bëjnë dhëmbët para fushatës apo bëjnë makijazh si gratë për tu rinovuar.
Me këtë doni të thoni se Aleanca Kuq e Zi po hyn në zgjedhje e patrukuar?
Sepse AK nuk do të marri vota as me fytyrën e kryetarit, të cilin e kemi ndaluar që të jetë në asnjë reklamë nëpër rrugë. Por pretendon që të marri vota me logon e saj, kauzën patriotike, programin radikal, strategjinë kombëtare, nacionalizmin ekonomik, me një frymë të re që vetëm AK e sjell. Aleanca Kuq e Zi lind si një parti krejt ndryshe, nuk lindi si LSI, si fraksion me ish-deputetet socialistë, apo FRD që lindi me ish-deputetët demokratë. Nuk jemi fraksion i të majtës dhe të djathtës,. Ne jemi një lëvizje me 140 kandidatë që nuk kanë qenë asnjëherë deputetë, asnjëherë ministra, as brenda PS-së as brenda PD-së. Vijmë me një kauzë krejt ndryshe, me një profil krejt të ri.
Flisni për një imazh të ri të partisë që ju përfaqësoni, por si shumë daulle dëgjohen në mitingjet ku jeni i pranishëm. A jeni i sigurt që jeni shkëputur nga folklori dhe legjendat?
Ju falenderoj shumë për pyetjen që më bëtë. Mediat, duke filluar nga Top Channel, Klan, e shumë televizione të tjera nuk japin asnjë aktivitet të AK-së. Madje ka televizione që janë përfshirë në goditjen apo dobësimin e AK-së. Aleanca Kuq e Zi kishte 20 mijë veta në shesh në Vlorë, asnjë televizion, me përjashtim të Neës24 nuk e dhanë. Sepse sot jetojmë si në vitin 1913. Prandaj u kemi bërë thirrje shqiptarëve konceptojeni AK-në si në vitin 1913, kur kishte vetëm daulle dhe tellall, lajmës me lodra që shkojnë derë më derë. U kemi thënë qytetarëve fikini televizionet, ajo janë të shitura dhe të blera. Humbësit e mëdhenj këtë të dielë do të jenë televizionet e blera, të cilëve ne u nxorëm fytyrën e vërtetë.
Zoti Spahiu, ju po flisni për raportin e partive me televizion, mos ndoshta edhe lançimi juaj fillestar ishte i amplifikuar nga televizionet dhe papritur u ndjetë i braktisur?
Aleanca Kuq e Zi ka qenë një faktor politik shqiptar i cili nuk është dhënë vetëm nga televizionet shqiptare. Ka qenë prezente në mediat amerikane, ballkanike. Ne jemi faktor i cili ka tërhequr vëmendjen. Gazetarët shqiptarë nuk kanë shkelur në Aleancën Kuq e Zi.
Ju jeni më shumë i interesuar të tërhiqni vëmendjen e televizioneve apo qytetarëve?
Por tek qytetarët ne mund të shkojmë nëpërmjet mediave. Qytetarët paguajnë taksë për televizionin shqiptar, që tashmë është një televizion antishqiptar. Ai televizion meriton drynin. Kanë dhënë Agimin e Artë, lëvizjet serbe, partitë maqedonase, nuk gjen asnjë lajm nga Aleanca Kuq e Zi. Ne shkojmë në çdo pallat, në çdo derë, ne kemi zgjedhur rrugën, se në rrugë e hodhi popullin PD-ja dhe PS-ja. Të dielën me votën tuaj ju keni mundësi t’i lini këta surretër pa punë. Ta provojnë dhe njëherë ata të rrinë pa punë, pa mercedes, pa zyra.
Çfarë i ofroni ju votuesve, çfarë alternative ofroni?
E vetmja forcë që ofron alternativa në zgjedhje është AK. Këta merren vetëm me familjet e njëri-tjetrit. Këto janë turpe, të cilat ka si një lëvizje shqiptare nuk mund t’i pranojë. Ndonëse ne jemi agresiv me liderët politik, fajtorë janë ata dhe jo familjarët e tyre. Faj kanë 5 gratë e Edi Ramës apo mbesat e Berishës që t’i telendisin politikisht me njëri-tjetrin. Dhe në fund bëjnë marrëveshje me njëri-tjetrin. Nëse ish-kryeministri slloven u arrestua pak ditë më parë, ish-kryeministri kroat u arrestua nuk ka pse të mos ndodhë dhe këta të amnistojnë njëri-tjetrin. Kërkesat për reformë janë jetike dhe programi i AK-së është vendimtar. Pensionistët shqiptarë meritojnë një pension jo më pak se 300 euro, sot fermeri shqiptar nuk mund të ketë një pension 50-60 apo 70 euro, ne duhet të sigurojmë minimumin jetik. Kërkojmë me ngulm respektin për pensionistët shqiptarë. Ne jemi lëvizja e të rinjve, që ka lidershipët më të rinj. Kemi moshën mesatarë më të re 27.5 vjeç të anëtarësisë. Kërkojmë votën e familjarëve të emigrantëve shqiptarë që iu hoq e drejta e votës. Gjysma e AK-së është sot me emigrantë që kanë studiuar jashtë. Po të jesh kuq e zi mendon me zemër, me shpirt dhe mendje.
Kur Berisha është ndaluar në vitin 2000, ju atëherë ishit avokati i tij. Çfarë ka ndodhur që ju ktheheni nga avokat në prokuror të Berishës?
Një mjek mund të vizitojë çdo të sëmurë, një avokat mund të marrë në mbrojte çdokënd. Unë jam krenar për karrierën time. Arrestimi 12 vite më parë i ka ndodhur sepse zhvillonte protesta. Ai duhet të ndëshkohet për krimet, korrupsionin, vrasjet në mes të bulevardit. Ilir Meta e arrestoi 12 vite më parë dhe pastaj shkoi në koalicion. Zoti Rama u betua para 4 viktimave të 21 janarit se do të merrte situatën në dorë dhe të jepte drejtësi dhe më pas e shikon për qafe me gjysmën e qeverisë Berisha dhe në koalicion me Ilir Metën. Edi Rama nuk mund të ndëshkohet se është opozitë e Berishës. Berisha nuk mund të akuzohet se bënte protesta në rrugë. Këta duhen ndëshkuar për krimet e tyre. Sot qytetarët për të vjedhur një thes miell arrestohen. Ndërsa sot po të vjedhësh thesarin Shqipërisë asnjë nuk mban përgjegjësi. Vriten në mes të bulevardit asnjeri nuk arrestohet e nuk mban përgjegjësi.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Spahiu: Berisha e Rama duan të mashtrojnë qytetarët me dhëmbët e vënë e makijazh si gratë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›