Fillim i këndelljes

Deklarata e zyrtarëve të Beogradit se Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian, pa Kosovën, vlerësohet si fillim i vetëdijesimit të politikës serbe ndaj shtetit të ri.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar të shtunën se Serbia ka nisur ta pranojë realitetin e krijuar në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Ai ka theksuar se Kosova dhe Serbia mund të anëtarësohen në familjen evropiane, vetëm si dy shtete të ndara dhe assesi në ndonjë formë tjetër.
“Mendoj që kjo është shkalla e parë e vetëdijesimit të politikës serbe dhe mendoj që ky është një realitet i ri që ata po fillojnë ta njohin. Këtë realitet, ne në fakt e kemi shpallur me pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Oliver Ivanovic, sekretar shteti në Ministrinë serbe për Kosovën, ka thënë se politikanët serbë duhet t'ia bëjnë me dije popullit se Serbia është e gatshme që pa Kosovën të hyjë në Bashkimin Europian. Politikani serb, me prejardhje nga Kosova, është shprehur se Beogradi tashmë ka pranuar se Serbia dhe Kosova udhëtojnë drejt Bashkimit Europian, përmes dy rrugëve të ndryshme.
Zëvendëskryeministri Kuçi konsideron se Qeveria e Serbisë ka filluar të përgatisë opinionin e brendshëm për realitetin e ri në Kosovë.
“Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara, Kosova ka territorin e vet, ka sovranitetin e vet dhe si e tillë do të hyjë në Unionin Evropian”, ka thënë ai.
Kuçi ka hedhur poshtë deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, sipas të cilëve, veriu i Kosovës nuk mund të jetë pjesë e Republikës së Kosovës dhe nuk mund të krahasohet me zonat e banuara me serbë në pjesët qendrore të vendit.
“Beogradi nuk ka nevojë të heqë dorë, sepse nuk është i tij. Ne s’do të heqim dorë asnjëherë”, ka thënë numri dy i Qeverisë kosovare.
Pjesa veriore e Kosovës ku strukturat paralele serbe vazhdojnë të funksionojnë të mbështetura nga Serbia është bërë temë e përditshme në fjalorin politik të zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd, pas paralajmërimeve se ky vit do të jetë vendimtar për vendosjen e ligjshmërisë, në këtë pjesë të vendit.
Autoritetet e Prishtinës janë shprehur të jenë të vendosura, për ta shtrirë autoritetin e tyre në Veri të Kosovës, përmes një plani që është hartuar me ndihmën e pranisë ndërkombëtare në vend. Strategjia ka marrë mbështetje edhe nga disa qeveri të shteteve perëndimore, por është kundërshtuar nga liderë të serbëve veriorë dhe Beogradi zyrtar.