E Diel, 1 Nëntor 2026

KSHC: 63 largime të padrejta nga puna më 2010

Institucionet e administratës publike në nivel qendror edhe për vitin 2010 mbeten në krye të listës përsa i përket moszbatimit siç duhet të ligjit të statusit të nëpunësit civil. Një konstatim ky që arrihet nga të dhënat që paraqet raporti vjetor i Komisionit të Shërbimit Civil, i cili evidenton se nga 179 ankimime që ka shqyrtuar për vitin që lamë pas, 96 prej tyre kishin si objekt padie pikërisht pushtetin qendror, ose thënë më saktë ministritë e ndryshme. Më konkretisht, në mënyrë të detajuar raporti bën të ditur se nga 96 ankimimet për institucionet e pushtetit qendror, vendin e parë e zënë ankesat për vendimet e marra nga Ministria e Drejtësisë, me 32 të tilla. Më pas vijnë Ministria e Arsimit, me 11 ankimime; Ministria e Punës, po me 11 e kështu me radhë. Ndërkohë që rekordin e thyen Drejtoria e Tatimeve, me 37 ankesa të ardhura nga nëpunës të Administratës Tatimore. Ndërkohë që vendimet më të ankimuara janë ato që kanë patur si objekt masat disiplinore që drejtuesit e institucioneve në përgjithësi, jo vetëm të atyre qendrore, kanë marrë ndaj nëpunësve të vet. Kështu, nga 179 ankesa të trajtuara nga KSHC, 94 prej tyre kanë patur si objekt masat disiplinore, 50 ristrukturimet e institucioneve, 16 vendimet e konkurimeve për punësim, 6 vlerësime për punën, 3 kërkesë për pagë etj. Por jo të gjithë nëpunësit që janë paraqitur para KSHC-së kanë patur të drejtë në pretendimet e tyre. Kjo, pasi nga 179 ankesa të trajtuara nga KSHC, vetëm 63 prej tyre janë pranuar si objektive. Ndërkohë 13 ankesa janë pranuar pjesërisht dhe 27 të tjera janë rrëzuar si të padrejta. Për 46 raste KSHC ka vendosur të pushojë çështjen së shqyrtuari, për shkak se ankesat e paraqitura nuk kanë patur objektivitet. Në raport thuhet se 27 ankesa të tjera i janë kaluar gjykatës për të dhënë vlerësimin e saj për shkak se KSHC nuk ka patur kuorumin e nevojshëm për të marrë një vendim. KSHC në raportin e vet thekson se vendimet e saj në rastet e pranimit të kërkesës, në shumicën e rasteve nuk arrijnë të zbatohen nga institucionet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›