E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti i ri me numrin më të madh të grave

Parlamenti që do të startojë në shtator do të mbahet mend për shumë risi. Falë kodit të ri zgjedhor, por edhe sistemit elektoral ky është parlamenti që ka më shumë femra deputete. Nga 10 deputete që kanë qenë pjesë e legjislatures së kaluar, parlamenti i ri ka rritur pjesëmarrjen pothuaj dy herë më shumë dhe legjislatura e 18 do të ketë 22 femra deputete. Mes deputeteve femra të parlamentit bien në sy disa politikane të njohura prej vitesh të cilat mbajnë poste të rëndësishme në parti dhe në institucionet shtetërore si Jozefina Topalli , Majlinda Bregu, Arta Dade, Ermelinda Meksi, e Valentina Leskaj. Por pjesë e parlamentit që do të nisë në 3 shtator janë edhe emra të rinj, si Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Albana Vokshi, Rudina Seseri e të tjerë. Përgjatë gjithë periudhës së hartimit të Kodit Zgjedhor rritja e pjesëmarrjes së gruas në parlament ka qenë një nga çështjet më të debatuara. Edhe pse ligji zgjedhor kishte instrumenta që parlamenti të përbëhej në masen 30% nga femrat, partitë politike përgjithesisht i vunë femrat në pozicione të pafavorshme në listat e kandidatëve për deputetë duke bërë që parlamenti i ri të ketë më pak femra. Megjithate në shtator me nisjen e legjislaturës së re, 18 gratë deputetë kanë në dorë të tregojnë vlerat e tyre në politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›