KQZ do ti hapë rrugën referendumit për plehrat?
Pas kritikave të ashpra të ambasadorit amerikan në drejt të KQZ-së, duket se kjo e fundit do ti hapë rrugën referendumit të plehrave. Sipas Mapo-s, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që nesër të marrë vendimin për ti thënë PO kërkesës së grupit nismëtar dhe për ti dhënë mundësi shqiptarëve që të shprehen nëse duhet të lejohet importi i plehrave në vendin tonë apo jo.
Gazeta bën me dije se burime nga ky institucion bëjnë të ditur se me shumë mundësi pritet ti hapet drita jeshile mbajtjes së referendumit të kërkuar. Kjo, për shkak se numri i firmave që KQZ pretendon se janë me probleme, është në atë masë sa nuk prek numrin prej 50 mijë firmash që kërkon ligji. Kështu shifrës prej 65 mijë firmash po ti heqim masën prej 8438 firmash, që sipas KQZ-së, janë me probleme, si dhe një numër të vogël firmash, që KËZ pretendon se janë hedhur nga e njëjta dorë, rezulton se më shumë se 50 mijë firma janë të rregullta dhe të mjaftueshme për të detyruar KQZ-në që të marrë një vendim pozitiv në favor të kërkesës së grupit nismëtar.
KQZ është në minimumin e afatit për të marrë një vendim dhe është vënë në lëvizje vetëm pas kritikave të ashpra të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, pak ditë më parë.