E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Të nisim një lëvizje të re për të ngjallur shpresën

Share

Rama tha se pushteti po lufton për të treguar se gjithë politikanët janë njësoj. Rama tha se rrënimi nuk është aleat i opozitës, por i pushtetit. Ai shtoi se aleat i opozitës është shpresa për të ardhmen

Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, duket se e shqetëson shumë fakti se në Shqipëri gjithë lufta që bëhet nga pushteti është për të treguar se të gjithë janë njësoj dhe se politikanët të gjithë synojnë vetëm pasurimin e paligjshëm.

Rama foli pikërisht për këtë çështje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai tha se pushteti po ia lë fajin gjithmonë opozitës.

Në vigjiljen dramatike të humbjes për herë të tretë të statusit kandidat, thonë se fajin e ka opozita. Tek opozita e gjejnë fajin edhe për keqqeverisjen dhe krimin në vend. Fajin e ka opozita pse u vranë katër protestues të pafajshëm dhe u vodhën zgjedhjet në vitin 2009 e 2011 në Tiranë, tha Rama.

Çfarë i ka mbetur kundërshtarit tonë është të përbaltë deri në fund opozitën dhe mua si lider i opozitës, duke i bindur se të gjithë janë fajtorë, për ti ngulitur njerëzve në kokë se njerëzit duan të gjithë pasurimin e paligjshëm përmes politikës. Maskarenj këta e maskarenj ata, ndaj kthejini shpinën të gjithë e bëni si të bëni në hallin tuaj pa u përzier me pozitën e pa u bashkuar me opozitën, vijoi Rama.

Për këtë arsye, Rama tha se duhet të nisë një lëvizje e re.

Është koha për ti dhënë frymë një lëvizje të re në gjithë territorin tonë. Brenda kohës së mbetur të këtij sesioni parlamentar çdo deputet duhet të ndërmarrë një lëvizje në çdo zonë të Shqipërisë për të folur e dëgjuar e për tiu përgjigjur çdo pyetje e për të dhënë çdo shpjegim të nevojshëm. Synimi është rritja me 30 përqind e anëtarësisë deri në fund të këtij viti. Kjo lëvizje e re do të nisë që nesër. Për të fituar zgjedhjen ne kemi vetëm fuqinë njerëzore.

Kreu i PS deklaroi se rrënimin e ka aleat pushteti, kurse opozita ka aleate zërin e të ardhmes.

Rrënimi është aleat i pushtetit që e kthen votën në mall. Aleati ynë është vetëm zëri i të ardhmes, fara e shpresës që do e mbjellim në çdo shtëpi, tha Rama.

Kryetari i opozitës komentoi edhe dënimin e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS, Sajmir Tahiri, duke theksuar se: Një gjykatës çeliku refuzoi prova e dëshmitarë. Këto nuk vlejnë në gjykatat e kapur nga kryeministri.

Kryetari i PS po ashtu sërish këmbënguli se Lotaria Kombëtare është një vjedhje e klientëve të Berishës e Bodes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›