E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon mikun e tij Aliev dhe e fton në Shqipëri

Share

(E PERDITESUAR)- Kryeministri Sali Berisha nga Strasburgu ka udhëtuar drejt Stambollit, ku do marrë pjesë në takimin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Siç njofton kryeministria, Berisha ka pasur aty një takim të përzemërt me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliev.

President Aliyev i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha vendosmërinë e tij për të zgjeruar marrëdhëniet dhe për të inkurajuar ndërmarrjet e rëndësishme publike e private të Azerbajxhanit në fushën e energjisë, për të konsideruar tregun shqiptar, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Por armenët e quajnë një skandal qëndrimin që ka mbajtur Berisha për Nagorni Karabakun, një çështje e nxehtë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Një deputete armene në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës e ka pyetur Berishën nëse Shqipëria si vend drejtues i Këshillit të Europës ka ndërmend të nxisë një dialog direkt të Azerbajxhanit me autoritetet e Nagorni Karabakut, siç po bën Serbia që po dialogon me Kosovën.

Berisha nuk diti çfarë të thoshte, por deklaroi se do veprojnë në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Suflerët pranë kryeministrit shqiptar po e këshillonin atë se çfarë të thoshte. Ata nuk e dinin se Këshilli i Ministrave nuk është kompetent për vendimmarrje për çështjen e Nagorni- Karabakut, tha përfaqësuesja armene Naira Zohrabyan.

Mediat e Azerbajxhanit bëjnë me dije ndërkohë se Berisha e ka ftuar Aliev në Shqipëri për një vizitë. Agjencia Trend e Azerbajxhanit bën me dije se Berisha ka deklaruar se shumë shpejt do hapet ambasada shqiptare në Baku. Nuk dihet nëse Berisha e ka ftuar Aliev për të festuar edhe ai 100 vjetorin e Pavarësisë apo jo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›